E Diel, 1 Nëntor 2026

Ina Rama në Itali, takon shefin e Guardia di Finanza

 

TIRANE - Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, u nis dje për një vizitë zyrtare në Itali me ftesë nga Komandant Gjeneral i Guardia di Finanza, Cosimo D'Arrigo. Lajmi konfirmohet nga Holta Zhiti, zëdhënësja e Kryeprokurores shqiptare, e cila tha se gjatë vizitës 3-ditore në Romë, Ina Rama do të bisedojë për rritjen e bashkëpunimit me palën italiane kundër krimeve të fushës financiare. "Qëllimi i vizitës është bashkëpunim në rritje me Guardia di Finanza Itali në çdo fushë ku operon kjo strukturë, dhe për të goditur krimin ekonomik e financiar", thanë burimet zyrtare. Sipas tyre, delegacioni shqiptar i Prokurorisë së Përgjithshme shoqërohet nga zyrtarë të Ministrisë së Financave, ndërsa në axhendë janë planifikuar takime me përfaqësues të lartë të Guardia di Finanza. "Përveç takimit me komandantin e Guardia di Finanza, Gjeneral Cosimo D'Arrigo, janë planifikuar takime me Gjeneralin e CA, Nino Di Paulo dhe Komandantin e Repartit 2-të (marrëdhënie ndërkombëtare) të Guardia di Finanza, Gjeneral Brigade, Renato Maria Russo. Në këto takime pritet të diskutohen edhe çështje për trajnime të përbashkëta ekonomike dhe në luftë kundër krimit financiar. Gjatë qëndrimit në Romë janë planifikuar vizita në disa reparte të Guardia di Finanza, ku do të prezantohen teknikat investigative që përdoren nga kjo strukturë për krimin e organizuar, pastrimin e parave dhe trafiqeve të paligjshme", thanë burimet nga Prokuroria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›