E Shtunë, 31 Tetor 2026

S'i dha lekë për drogë, vret nënën

 

Fatos Mahmutaj

Nuk i jepte para për të blerë dozat e përditshme të drogës, 35-vjeçari masakron nënën me thikë. Të paktën ky është motivi kryesor me të cilin ka dalë grupi hetimor që po punon mbi ngjarjen e shëmtuar të ndodhur mbrëmjen e djeshme në kryeqytet, kur 35-vjeçari Altin Birko ka qëlluar për vdekje me thikë nënën e tij, Jesime Birko. Sipas fqinjëve, krimi ka ardhur pas një grindje midis nënës dhe të birit, i cili i kishte kërkuar para për të blerë narkotikë, ndërsa kishte hasur në refuzimin e të ëmës. Familja Birko jetonte prej shumë vitesh në katin e dytë të pallatit numër 5 në rrugën e Dibrës. Në këtë banesë ishte vendosur viktima me të birin, pas divorcit që ajo kishte pasur shumë vite më parë nga bashkëshorti, i cili jetonte në një tjetër lagje të kryeqytetit. Fqinjët tregojnë se e kanë parë djalin të kthehej në banesë rreth orës 18:00 të mbrëmjes, i dehur dhe ecte duke u lëkundur. Ai ishte ngjitur në banesë, kishte qëndruar pak minuta aty dhe kishte dalë. Pasi kishte përshkruar rrugicën në hyrje të pallatit ishte larguar në drejtim të Medresesë. Pak minuta më vonë ai ishte parë sërish në rrugicë, ndërsa kishte ngjitur shkallët për në banesën e tij që ndodhej në katin e dytë të pallatit katërkatësh. Nga fqinjët ishin dëgjuar zhurma të grindjes, por që zërat nuk kishin qenë të lartë dhe që nuk kishin tërhequr vëmendjen, pasi grindjet në familjen Birko ishin të shpeshta, aq sa edhe personat që banonin afër tyre kishin kohë që nuk ndërhynin më. Pasi kishte qëlluar nënën disa herë me thikë, Birko është larguar nga banesa, duke mos e vënë re njeri dhe ishte drejtuar për në polici, ku është vetëdorëzuar në Komisariatin numër 4. Sapo është paraqitur në polici ai ka nisur të rrëfehet për ngjarjen, ndërsa një grup i gatshëm është nisur menjëherë drejt banesës së familjes Birko, me qëllimin për t'i dhënë ndihmë të moshuarës, por çdo gjë ka rezultuar e kotë, pasi 58-vjeçarja kishte vdekur si pasojë e plagëve të shumta që kishte marrë në organet jetësore, si dhe nga humbja e gjakut. Pas kësaj policia ka njoftuar ekspertët kriminalistë, të cilët kanë kryer veprimet hetimore në vendngjarje. Aty është gjetur edhe arma e krimit, një thikë e zakonshme që ishte ndodhur në banesën ku jetonin nënë e bir. Banorët e pallatit pohojnë se e njihnin pak 35-vjeçarin, megjithëse ai ishte rritur në atë lagje. Si pasojë e konsumimit të narkotikëve ai shoqërohej pak në lagje. Ai nuk punonte, ndërsa shihej të kthehej në banesë natën vonë dhe ishin të paktë rastet kur ai nuk grindej me të ëmën. Si gjithmonë shkaku i sherreve ishin paratë që i duheshin 35-vjeçarit për të siguruar narkotikët. Këto para, sipas fqinjëve, më parë siguroheshin nga puna që bënte gruaja 58-vjeçare dhe më pas nga pensioni i saj.

Fajësia
Menjëherë pas vetëdorëzimit në polici, djali 35-vjeçar Altin Birko ka pranuar fajësinë e vrasjes së të ëmës, madje ka treguar gjithë mekanizmin e kryerjes së krimit si dhe ka treguar edhe për thikën me të cilën ka qëlluar mbi nënën 58-vjeçare. Gjatë ditës së sotme pritet që dokumentet në ngarkim të tij të dërgohen në organin e akuzës, ndërsa nesër pritet që ai të dërgohet në gjykatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›