Greko-anglezi abuzoi me një djalë të jetimores
TIRANE - Dëshmia e një minoreneje, ish-banore e jetimores "Fëmijët e tij", "fundos" greko-anglezin Dino Christodoulou, i akuzuar për abuzim seksual me të mitur. Vajza 15-vjeçare, tashmë banore e qytetit të Sarandës, për rreth një orë shpjegoi me anë të videokonferencës abuzimin seksual që Christodoulou kishte bërë ndaj dy djemve, bashkëmoshatarë të saj. E pyetur në seancë gjyqësore, vajza tregoi se kishte qenë dëshmitare kur kishte parë greko-anglezin Christodoulou të flinte në të njëjtin shtrat me një nga fëmijët e qendrës, të dy të zhveshur. Vajza tha se teksa po lëvizte nëpër ambientet ku ishte vendosur jetimorja, që drejtohej nga Braun, kishte parë greko-anglezin të qëndronte në të njëjtin shtrat me të miturin, të mbuluar me çarçaf. Pak më vonë ajo pohoi se kishte parë se të dy ishin të veshur vetëm me mbathje. Më tej vajza tha se më vonë kishte mësuar se Dino kishte abuzuar seksualisht me fëmijën. Po kështu, ajo tha se të njëjtën gjë e kishte dëgjuar edhe nga fëmijët e tjerë. Ndërsa duke treguar për një rast tjetër, ajo tha se një bashkëmoshatar i saj i kishte thënë se Dino kishte abuzuar me të. Duke treguar atë çfarë i kishte rrëfyer shoku, ajo tha se Dino kishte kryer mjaft veprime ndaj tij, çka kishte bërë që i mituri të frikësohej. fa.ma.