E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Gërdeci, pasojë e korrupsionit

 

PS, startoi dje në Durrës "Dialogun me Shqipërinë", me temë diskutim mbi shanset e barabarta dhe sigurinë e jetës

 

TIRANË- Pas një ndërprerjeje relativisht të gjatë, për shkak të tragjedisë së Gërdecit, Partia Socialiste ka startuar dje në qytetin e Durrësit "Dialogun me Shqipërinë", me temë diskutim mbi shanset e barabarta dhe sigurinë e jetës. Duke bashkëbiseduar me qytetarët durrsakë, kreu socialist Edi Rama ka vënë theksin tek mungesa e plotë e sigurisë së jetës në vend. Ngjarja e Gërdecit, sipas tij, tregoi edhe njëherë më së miri se niveli i sigurisë së jetës së qytetarëve shqiptarë lë për të dëshiruar. Kjo, sipas tij, vjen jo vetëm për shkak të mungesës së vëmendjes së shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve të vet, por edhe për shkak të korrupsionit. "Kjo qeveri, kjo politikë e vjetër, këto 17 vjet tranzicion rraskapitës kanë vrarë çdo ëndërr dhe çdo shpresë dhe ne kemi misionin që t'i japim fuqi ëndrrave, shpresave, vullnetit ambicieve dhe interesave të çdo shqiptari dhe shqiptareje që dëshiron të jetojë me punë të ndershme, qoftë si punëtor, qoftë si sipërmarrës, sepse ne kemi detyrimin që fëmijëve tanë t'i bëjmë një atdhe më të mirë se ky, t'i lëmë një atdhe më të siguritë se ky. Nuk mund të mos ndodhte ai shpërthim në kushtet kur korrupsioni ka dalë tërësisht jashtë kontrollit",- tha Rama gjatë fjalës së vet. Duke u ndalur tek ngjarja e rëndë e Gërdecit, kryesocialisti Edi Rama është shprehur se ajo erdhi si pasojë e korrupsionit i cili ka kapur dhe drejtuesit më të lartë shtetërorë, përfshi këtu dhe Kryeministrin e vendit. "Ishte një pamje jo e një fatkeqësie natyrore, jo e një goditjeje që erdhi nga forca jashtë kontrollit tonë dhe jashtë territorit tonë, por ishte goditja e një korrupsioni që sot ka për promotor dhe mbrojtës të vet, kryeministrin e Shqipërisë. E një korrupsioni që sot është më tronditës se asnjëherë tjetër",- theksoi Rama. Nisur nga kjo ngjarje, por edhe nga zhvillimet që shoqëruan atë, kreu i selisë rozë ka vënë theksin tek domosdoshmëria e jetësimit të një politike ndryshe, që shpeshherë ai e ka cilësuar si politikë të re. Për këtë, ai edhe një herë ka siguruar se partia që ai drejton është e gatshme që të realizojë një koalicion të madh, përtej kufijve të partive politike, si e vetmja mundësi për t'i dhënë fund politikës së interesave të ngushta që përfaqësohet nga pushtetarët e sotëm. "Për këtë arsye, edhe për shkak se Shqipëria sot është më e tronditur se asnjëherë, së paku në dekadën e fundit, ne socialistët shqiptarë duhet të bëhemi ura e bashkimit dhe e bashkëpunimit me të gjithë përtej kufijve të vjetër të partive jo nën flamurin e partisë, por nën flamurin e idealeve dhe ideve që duhet të ndajmë së bashku me të gjithë ata që nuk pranojnë të jetojnë më tutje si skllevër të të vërtetave të një politike, e cila tjetër thotë e tjetër bën",- tha kryetari i PS-së, Edi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›