E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama pezullon Ndojën deri në përfundim të hetimit

Kryeprokurori i Durrësit, Arian Ndoja, dha dorëheqjen nga detyra, ndërsa Prokurorja e Përgjithshme mori ndaj tij vendimin e pezullimit nga detyra deri në përfundim të hetimit të nisur ndaj tij për fshehje të pasurisë. Arian Ndoja njoftoi dje dorëheqjen nga detyra si rrjedhojë e vënies në hetim nga Prokuroria e Tiranës për verifikim të pasurisë. Kallëzimi për ndjekje penale ndaj Kryeprokurorit të Durrësit, Arian Ndoja, u bë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, për shkak të mosverifikimit të burimeve të një shume prej afro 743 mijë eurosh, të cilat pretendon se i ka fituar gjatë punës si avokat në vitet 2004-2008. Kallëzimi penal i është drejtuar organit të akuzës së kryeqytetit, Njësisë së Përbashkët Hetimore për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, ndërsa Kryeprokurorja Ina Rama e ka pezulluar Ndojën nga puna deri në fund të hetimeve. Nga ana e tij, prokurori e ka cilësuar procedimin penal ndaj vetes si absurd dhe të pabazuar në ligj.

Në konferencën për shtyp, Arian Ndoja shpjegoi arsyet e kësaj dorëheqjeje me vetëbindjen për pafajësi, ndërkohë që e cilësoi hetimin si të pabazuar në ligj.

“Regjistrimi i këtij procedimi është në bazë të ligjit për prokurorinë dhe më jep të drejtë mua të jap dorëheqjen. Kjo nuk është shenjë dobësie, por është shenjë e karakterit personal dhe kurajës civile dhe qytetare”, - tha juristi Ndoja. “Arsyet e kësaj dorëheqjeje nuk kanë të bëjnë me faktin se deklarimi im i pasurisë ka probleme, pasi është absurde të mendosh që një jurist nuk di të plotësojë deklaratën e tij të pasurisë. Dorëheqja ime i hap rrugë hetimit, duke hequr çdo lloj paragjykimi nga taksapaguesit shqiptarë”, - vazhdoi Ndoja, duke theksuar se qëndrimin e tij të plotë për kallëzimin dhe argumentin e paraqitur nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit të Deklarimit të Pasurive do të jetë pas marrjes së vendimit nga organi i Prokurorisë së Tiranës. Me vetëvlerësimin e dorëheqjes vetëm për shkak të transparencës së plotë, ai vijoi argumentimin e tij se kallëzimi i paraqitur nga ILDKP-ja në media ka një përmbajtje në të cilën nuk shfaqet asnjë dispozitë ligjore e shkelur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›