E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë; Abuzimi me trojet në Shëngjin, së shpejti dosja për gjykim

Të akuzuar për abuzime me pronat në Shëngjin, për përvetësim të sipërfaqeve të konsiderueshme, Prokuroria e Lezhës pritet të dërgojë së shpejti për gjykim pesë ish-zyrtarë të Komunës Shëngjin. Abuzimet për të cilat këta persona akuzohen janë denoncuar fillimisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, çka detyroi organin e akuzës të fillojë hetimin dhe të kërkojë marrjen si të pandehur për shtetasit Luigj Prela, kryetar komune, Ndue Koleci ish-kryetar komune, Mëhill Ndreun, Gjergj Gjonin e Fran Prelën. Sipas burimeve zyrtare nga organi i akuzës së Lezhës, këta shtetas ende janë nën hetim dhe prokuroria nuk mund të shprehet më tepër për shkak të sekretit hetimor. Por, ajo që është më e rëndësishme për këtë çështje është se prokurori është në përfundim të hetimeve dhe dosja pritet që shumë shpejt të dërgohet për gjykim në Gjykatën e Lezhës. Hetimi për këta shtetas nisi në fillim të këtij viti, pas bërjes publike të abuzimeve e shkeljeve nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, në të cilin evidentoheshin një numër i madh shkeljesh me trojet në bregdet nga ish-zyrtarë të Komunës Shëngjin. Pasi hetoi për disa muaj raportin e KLSH-së, mori në pyetje personat e akuzuar, shqyrtoi një sërë dokumentacioni të firmosur nga zyrtarët nën hetim, si dhe bëri një ekspertizë të dëmit të shkaktuar dhe sipërfaqeve të mbivendosura apo shitura në mënyrë abuzive, prokurori i çështjes ngriti dhe akuzat për pesë të akuzuarit, përkatësisht “shpërdorim detyre” dhe “përvetësim të pronave publike në mënyrë të paligjshme”. Aferat për të cilat akuzohen këta zyrtarë i referohen vitit 2005, kur Ndue Koleci (PS) ishte kryetar komune, Luigj Prela (PD) ishte kryetar i këshillit të komunës, Mëhill Ndreu ishte këshilltar, njëkohësisht kryetar i PD-së Shëngjin. Po sipas burimeve, mësohet gjithashtu se kryetari i komunës, Luigj Prela dhe nënkryetari Gjovalin Maklaj janë duke u hetuar edhe për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” për tenderin e pastrimit të qytetit të Shëngjinit në vitin 2007.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›