E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshja për emigrimin me Italinë, nënshkruhet më 3 dhjetor



Marrëveshja e emigrimit ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë duket se do të nënshkruhet përfundimisht nga kryeministrat e dy vendeve, gjatë vizitës së kreut të ekzekutivit italian, Berluskoni në Tiranë. Burime nga Kryeministria bëjnë të ditur se në axhendën e takimeve është përfshirë edhe nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, që do të kthejë zyrat e punësimit në ndërmjetëse për emigrimin e shqiptarëve në Itali.

Marrëveshja

Burimet e gazetës bëjnë të ditur se marrëveshja parashikon që emigrimi sezonal të ndërmjetësohet nga zyrat e punës në Shqipëri, të cilat do të kualifikojnë të papunët në vend dhe do t’i dërgojnë ata në Itali për punësim sezonal. Faza e parë e këtij projekti ishin sportelet e emigracionit, të cilat do të kthehen në ndërlidhëse të drejtpërdrejta mes emigruesve dhe shteteve që kërkojnë emigrantë, në mënyrë që të krijohet një instancë shtetërore e menaxhimit të emigrimit sezonal.

Formimi profesional është një tjetër pjesë e marrëveshjes, ku dy vendet zotohen se do të shkëmbejnë eksperienca dhe se Italia do të ndihmojë Shqipërinë në rritjen e nivelit të formimit profesional, që do të ofrohet falas nga zyrat e punësimit. Ky formim do të bëhet edhe “viza” e emigrantëve, pasi vetëm punëtorët e kualifikuar do të mund të emigrojnë në bazë të kësaj marrëveshjeje.

“Sportelet e emigracionit”

Një hap më afër këtij projekti është hedhur tashmë në vendin tonë, pasi në Zyrat e Punësimit janë çelur sportelet e emigracionit. Këto zyra do të funksionojnë në cilësinë e institucionit që do të merret me dhënien e informacionit për migracionin. Bëhet me dije se “Sportelet e Migracionit” janë njësi, të cilat nuk do t’u shërbejnë vetëm shtetasve shqiptarë të interesuar për çështje të emigracionit, por këto sportele do t’u shërbejnë edhe shtetasve të huaj të lidhur me imigracionin.

Gjithashtu, në “Sportelet e Migracionit” do të merret informacion për procedurat e rregullta të emigrimit në shtete të ndryshme, nevojat e tregut të punës dhe profesionet konkrete, për të cilat kanë nevojë shtete të ndryshme, informacion për shtetasit e huaj për procedurën e imigrimit në vendin tonë, lejet e punës dhe informacione të tjera.

Sportelet e emigracionit janë hapur pranë Drejtorive Rajonale të Punësimit në të gjitha qendrat kryesore urbane të vendit: Shkodër, Lezhë, Kukës, Dibër, Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Fier, Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Pogradec dhe Sarandë. Zyra të tilla janë çelur edhe në Kosovë, Maqedoni, Bosnjë e Hercegovinë, Kroacia, Republikën e Malit të Zi dhe në Republikën e Serbisë.

AMC mundëson vaksinimin e fëmijëve të fshatit SOS

AMC ka ndërmarrë një nismë për vaksinimin e të gjithë fëmijëve të fshatit SOS, për të parandaluar shfaqjen dhe prekjen nga virusi i gripit. Stinët më të ftohta të vitit gjithmonë shoqërohen me shfaqjen e formave të ndryshme të virusit të gripit. Fëmijët janë ata që preken më lehtësisht nga virusi i gripit. Në kuadër të Përgjegjësisë Sociale të Kompanisë, AMC ka vendosur që t’i dhurojë fshatit SOS sasinë e nevojshme të vaksinave antigrip për të gjithë fëmijët e qendrës. Fëmijët e vaksinuar janë të moshave të ndryshme nga dy deri në 15 vjeç. Me marrjen e vaksinës antigrip të 70 fëmijët e kësaj qendre do të jenë të imunizuar për gjatë gjithë stinës së ftohtë nga gripi. AMC i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së fshatit SOS për të mbështetur vaksinimin e fëmijëve. Drejtuesit e fshatit SOS kanë falënderuar AMC që gjithmonë ka mbështetur dhe i është gjendur pranë fëmijëve të kësaj qendre. Drejtuesit e AMC kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur fshatin SOS jo vetëm në këtë rast por edhe në të ardhmen duke ndihmuar sa më shumë fëmijët që banojnë në këtë fshat. AMC ka ideuar dhe mbështetur edhe më parë nisma në dobi të fëmijëve dhe kryesisht atyre në nevojë. AMC ka kontribuar në përmirësimin e kushteve të disa shkollave në vend, duke i rikonstruktuar, në vizitat e herëpashershme që organizon në Shtëpitë e Foshnjave dhe Fëmijëve apo në publikime si manuali “Për Shëndetin e Fëmijës” i mundësuar nga një bashkëpunim me UNICEF.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›