Suedia, ndihmë për dixhitalizimin e ZRPP-së
Suedia do të ndihmojë Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në regjistrimin e pronave. Kjo do të mundësohet falë një marrëveshjeje bashkëpunimi të nënshkruar dje nga dy qeveritë e vendeve përkatëse, e cila ka si qëllim binjakëzimin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Shqipëri dhe Lantmateriet (Autoriteti Kombëtar Suedez për Kadastrën, Hartat dhe Regjistrimin). Marrëveshja u nënshkrua për palën shqiptare nga ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, z. Enkelejd Alibeaj, dhe atë suedeze, Drejtoresha e SIDA-s (Organizata Qeveritare për Dhënien e Ndihmës së Huaj) në Shqipëri, znj. Elisabeth Stam. Marrëveshja parashikon asistencë teknike për ZRPP-në në fushën e IT-së për një periudhë katërvjeçare (nëntor 2008-prill 2012), me një fond prej 4.660.000 kronor suedez (450.000 euro). Lantmateriet merr përsipër që të projektojë sistemin e kompjuterizuar për ZRPP-në dhe të testojë funksionimin e tij në të paktën një prej ZVRPP-ve (Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme). Ekspertët do të punojnë në katër drejtime kryesore; dizajnimin e zhvillimit të sistemit të kompjuterizuar bazuar në metodën RUP; ndërtimi dhe përpunimi i fazës tranzitore nga sistemi analog në sistemin e kompjuterizuar; udhëzimi dhe monitorimi i zhvillimit të sistemit; zbatimi i proceseve dixhitale të punës në Zyrat e Regjistrimit; si dhe hartimi i strategjisë dhe ndërtimi i kapaciteteve për zhvillimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të IT-së. Sipas marrëveshjes, zbatimi i saj do të përmirësojë kontrollin e ZRPP-së mbi informacionin që administron, do të sjellë përmirësimin dhe përditësimin e të dhënave dixhitale dhe analoge, si dhe krijimin e mundësive për shkëmbimin e informacionit të pasurive, pra akses më të lehtë në informacionin e ZRPP-së. Ky projekt dhe regjistrimi fillestar i pasurive te paluajtshme janë dy prioritetet kryesore të ZRPP-së, të cilat do të çojnë në transformimin rrënjësor të shërbimit që ofron Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, duke pasur si synim final ofrimin e shërbimit online për qytetarët dhe institucionet. Të pranishëm ishin përfaqësues të lartë të OSBE-së, Bankës Botërore dhe donatorë të tjerë, të cilët po mbështesin aktualisht me projekte ZRPP-në.
Drejtimet
1- Dizajnimi i zhvillimit të sistemit të kompjuterizuar bazuar në metodën RUP
2- Ndërtimi dhe përpunimi i fazës tranzitore nga sistemi analog në sistemin e kompjuterizuar; udhëzimi dhe monitorimi i zhvillimit të sistemit
3- Zbatimi i proceseve dixhitale të punës në Zyrat e Regjistrimit
4- Hartimi i strategjisë dhe ndërtimi i kapaciteteve për zhvillimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të IT-së
Detaj
450 mijë euro ose 4.660.000 kronor suedez është fondi i asistencës teknike suedeze, që do asistojë ZRPP-në për 4 vjet