E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama shkarkon kryeprokurorin e vetëdorëhequr të Durrësit



TIRANË - Kryeprokurorja Ina Rama komunikoi mbrëmë shkarkimin e dy drejtuesve të Prokurorisë së Durrësit, ku titullarin e saj, zotin Arjan Ndoj, kishte paraqitur dorëheqjen disa ditë më parë. Madje, para daljes së urdhër-shkarkimit, edhe media e shkruar lajmëroi dje në mëngjes aktin e dorëheqjes së titullarit të prokurorisë së qytetit bregdetar. Përmes një deklarate zyrtare, organi qendror i Prokurorisë ka njoftuar largimin e zotit Arjan Ndoj dhe zotit Drini Pali nga detyra, duke e argumentuar këtë vendim me parregullsitë e konstatuara gjatë kontrollit të bërë në prokurorinë e Durrësit
Burimet zyrtare bënë të ditur se “me urdhrin e Prokurorit të Përgjithshëm është ushtruar kontroll tematik në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës për kontrollin e veprimtarisë së Prokurorisë për një periudhë 2-vjeçare”. Sipas tyre, në përfundim të kontrollit, janë konstatuar të meta të theksuara në funksionimin e kësaj Prokurorie të cilat rezultojnë se kanë ardhur si rrjedhojë direkte e një menaxhimi të dobët nga stafi drejtues i saj”. Ky vendim, - thuhet zyrtarisht, - është mbështetur në konkluzionet e aktit të kontrollit. Pak ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme publikoi të dhënat e kontrollit të bërë në institucionin e akuzës në Durrës, ku u komunikuan disa masa për shkeljet e konstatuara. Por, dje është lëshuar urdhri për shkarkimin e dy drejtuesve, Arjan Ndoj dhe Drini Pali. Zonja Rama pak muaj më parë riktheu në detyrë zotin Ndoj, pas akuzave që rezultuan të pabaza nga ILKVP-së. Arjan Ndoj është emëruar në këtë detyrë në muajin janar të këtij viti. Ndaj tij ngriti një hetim Inspektorati i Deklarimit dhe Verifikimit të Pasurive, duke e akuzuar për fshehje të pasurisë, të cilën ai e kishte deklaruar zyrtarisht, të fituar gjatë aktivitetit të tij si avokat. Zoti Ndoj dha dorëheqjen deri në momentin e përfundimit të hetimeve, dhe më pas, doli i “pastër”, duke u rikthyer në detyrë.
Prokuroria e Durrësit, kohët e fundit kishte rihapur disa dosje të bujshme për korrupsion, sidomos me abuzimet e tokave në bregdet. Madje, pak javë më parë, u arrestua një zyrtar i komunës së Rashbullit, i cili kishte qenë deputet gjatë periudhës 2005-2005. Por, më pas, gjykata e liroi, duke vazhduar procesin ndaj tij në gjendje të lirë. Po ashtu, prokuroria e qytetit bregdetar kishte çuar para drejtësisë edhe disa dosje të tjera, të konsideruara të bujshme, por duket se presionet e vazhdueshme kanë bërë që ato të mos marrin rrugën, për të ndëshkuar personat e vënë nën hetim prej disa vitesh.

30 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›