E Diel, 1 Nëntor 2026

Qytetarëve do tu rikthehen bonot e privatizimit të investuara në kapitale shtetërore



Ervin KOÇI

Qeveria ka dërguar në Kuvend një ligj, i cili u jep të drejtën qytetarëve që kanë depozituar bono privatizimi në fondet e investimeve, t‘i marrin ato sërish mbrapsht. Por një veprim i tillë do të thotë një zhvlerësim në maksimum i bonove të privatizimit në tregun vendas, ku deri tani çmimi i tyre ka arritur deri në 20 për qind të vlerës reale. Ky forcim gradual i bonove të privatizimit që qytetarët posedojnë nëpër shtëpitë e tyre, erdhi pas nisjes së procedurave të privatizimit të aksioneve të ndërmarrjeve shtetërore, por sidomos pas vendimit më të fundit të qeverisë për të bërë legalizime me këto bono. Pikërisht vënia në përdorim e bonove të privatizimit për procesin e legalizimit të ndërtimeve informate, solli dhe rritjen e menjëhershme të vlerës së këtyre letrave me vlerë në tregun vendas. Por qeveria duket se kërkon ta ulë në minimum vlerën e tyre, sidomos pas vendimit të fundit për rikthimin edhe të atyre që tashmë janë investuar në asete shtetërore. "Ekzekutivi ka mbajtur një qëndrim dhe i jep fund ankthit të mijëra depozituesve dhe vendos drejtësinë që do t‘i detyrojë ata që kanë marrë bonot t‘ua shpërndajnë zotëruesve të tyre",- tha Florion Mima, anëtar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë. Deklarata u bë dje gjatë diskutimit të projektligjit të ri "Për sipërmarrjet e investimeve kolektive", i cili synon përgatitjen e terrenit drejt funksionimit normal të bursës.

Shpërndarja

Letrat me vlerë janë shpërndarë nga qeveria shqiptare në vitet e para të pas rënies së regjimit komunist dhe iu shpërndanë kryesisht ish-të përndjekurve dhe të persekutuarve të atij regjimi, por ato e humbën menjëherë vlerën e tyre. Qëllimi ishte që këto letra të përdoreshin në privatizimet që do të kryheshin, por në fakt ish-të përndjekurit dhe ish-të persekutuarit asnjëherë nuk fituan ndonjë gjë të madhe nga këto letra, e sigurisht edhe nga privatizimet. Vlera e tyre u bë shpejt shumë e vogël, derisa ato thuajse nuk u përdorën më askund. Në vitin 2006 qeveria shqiptare vendosi t’i fusë ato sërish në treg duke thënë se këto letra do të përdoreshin në procesin e privatizimeve të tjera. Në fakt, edhe në ato raste, letrat me vlerë sërish nuk mundën të luajnë asnjë rol. Tashmë, kur ato do të përdoren te legalizimet, vlera e tyre është rritur dhe duket se fondet e investimeve, të cilat grumbulluan pjesën dërrmuese të këtyre letrave me vlerë, do të jenë përfituesit më të rëndësishme të shtrenjtimit të këtyre letrave. Banorët e shtëpive që do të legalizohen nuk do të mbesin pas, ndonëse shtrenjtimi i tyre mund ta bëjë më të shtrenjtë për ta pagesën. Procesi i legalizimeve është në vazhdim dhe për disa kanë filluar të bëhen edhe pagesat, ndonëse ai është një proces që ecën ngadalë dhe në disa raste mes paqartësish të mëdha. Saktësisht askush nuk e di se sa banesa janë legalizuar ose për sa prej tyre është bërë pagesa e legalizimit.

Bonot e privatizimit

Në Shqipëri kanë ekzistuar tri fonde investimesh, që kanë grumbulluar letra me vlerë, ku më i njohuri mbetet ai “Anglo-Adriatik”, në të cilin kanë depozituar bono privatizimi rreth 47 mijë familje shqiptare për një vlerë prej rreth 10 miliardë lekësh. Ekspertët e qeverisë thonë se bonot ndodhen të depozituara në një bankë private në Tiranë dhe se sapo ligji të hyjë në fuqi, për një periudhë që pritet të zgjasë rreth 3 muaj, qytetarët do të kenë të drejtën të rimarrin mbrapsht bonot e tyre.

Shkurt
Akciza, pritet rritje e re e çmimeve të konsumit

Në treg pritet një rritje e re e çmimeve për disa mallra të konsumit të gjerë si pasojë e rritjes së akcizave pas vendimit të marrë nga qeveria pak kohë më parë. Ky vendim i cili ka nisur të aplikohet këto ditë në dogana prek cigaret, pijet alkoolike dhe kafenë dhe rritja në disa artikuj arrin deri në 40 për qind. Rritja e akcizave ka qenë manovra më e preferuar e qeverisë në katër vitet e fundit për të plotësuar gropat financiare në buxhet. Krahasuar me vitin 2005 akciza e cigareve është dyfishuar. Rritje ka pasur edhe për produktet e tjera që i nënshtrohen akcizës. Konfindustria, e cila përfaqëson interesat e prodhuesve vendas thotë se, kjo tendencë ka krijuar një situatë të vështirë për biznesin duke e vendosur atë përballë dy zgjidhjeve ekstreme. Akciza është një taksë indirekte, që ngarkohet e gjitha në çmim dhe që paguhet gjithmonë nga konsumatori. Akciza është një taksë e posaçme e cila u ngarkohet disa produkteve të caktuara, të cilët janë të dëmshëm jo vetëm për ata që i konsumojnë por edhe për shoqërinë në tërësi. Por në rastin e Shqipërisë, edhe ky koncept është deformuar. Qeveria shqiptare është e vetmja në rajon dhe Europë, e cila ngarkon me akcizë edhe kafenë, pavarësisht se ajo nuk është mall luksi apo i dëmshëm, aq më tepër kur konsumatorët kryesor të saj janë pensionistët, shtresa me të ardhura më të ulëta. Rritja e fundit e akcizës në kushtet kur ekonomia vendase po vuan efektet e krizës ndërkombëtare është një kërcënim për inflacion duke rrezikuar rënie të shitjeve dhe konsumit për shkak të pamundësisë së publikut për të përfituar të mira dhe shërbime të cilat po bëhen më të shtrenjta.

30 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›