E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një tjetër e sëmurë mendore gjendet e lidhur në Kavajë

Pre 16 vitesh 22-vjeçarja mbahet e lidhur nga babai i saj. Autoritetet shtetërore prej vitesh kanë dijeni për rastin

Tjetër rast shokues i shkeljes së të drejtave të njeriut në Shqipëri. Vetëm pak kilometra larg kryeqytetit, një tjetër person me probleme mendore mbahet i lidhur me zinxhir në shtëpi. Kësaj here bëhet fjalë për një vajzë 22-vjeçare nga Kavaja, e cila, sipas të atit, ka lindur me probleme mendore, ndërkohë që mbahet e lidhur me zinxhir që në moshën 6-vjeçare. Babai Spiro Tani tregon se vajza është agresive dhe e rrezikshme për komunitetin, ndërkohë që, sipas tij, është detyruar ta lidhë për të shmangur problemet. Vajza mbahet e lidhur me periudha të caktuara, sidomos kur kalon kriza të rënda.
Motivet
I ati 54-vjeçar i vajzës thotë se rasti bijës së tij njihet nga bluzat e bardha të Kavajës, ndërkohë që sipas tij autoritetet nuk kanë bërë asnjë për vajzën, përveç lidhjes së një pensioni prej 8 mijë lekësh ndihmë në muaj. Babai pretendon se lidhja me zinxhirë është një përpjekje e dëshpëruar, në pamundësi për të vepruar ndryshe.
Vetëm pak ditë më parë në media u publikuan pamjet shokuese të trajtimit të 2 motrave në Maqellarë të Dibrës, të cilat mbaheshin të lidhura me zinxhirë prej rreth 22 vitesh. Edhe në Fier u zbulua një djalë i komunitetit rom, i cili ishte i detyruar të jetonte i lidhur në një kolibe. Menjëherë pas publikimit në media, këta persona janë dërguar në spitalet e specializuara për trajtimin e sëmundjeve mendore.
Precedentët
Me flokë të prerë keq, dhëmbë të prishur dhe të palarë prej një kohe të gjatë, dy motrat, Thëllënxa dhe Fidane Keshi mbaheshin prej plot 22 vjetësh në shtëpi të lidhura me zinxhirë nga babai. Thëllënxa u lidh kur ishte 25 vjeçe, sot është 47 vjeçe dhe e vogla Fidania kur ishte 16 vjeçe, sot është 38 vjeçe. Pas pamjeve vërtet të rënda të dy motrave që jetonin prej 22 vjetësh të lidhura me zinxhirë, ka ndërhyrë Drejtoria e Policisë së Dibrës, e cila së bashku me disa mjekë të Peshkopisë kanë liruar dy femrat që jetonin në kushte skandaloze. Ato janë të sëmura mendore dhe jetonin vetëm me babanë 70-vjeçar. Ai thotë se nuk ka asnjë mundësi tjetër përkujdesje për vajzat e tij dhe për këtë arsye i ka lidhur në një dhomë të shtëpisë. Babai tregon se vajza e madhe, në moshën 16-vjeçare, kishte shfaqur shenja të sëmundjes mendore dhe për këto arsye qëndroi për 7 vjet e shtuar në Spitalin e Vlorës. Pas daljes nga spitali babai u detyrua ta mbajë të lidhur. Vajza tjetër, Fidania, nuk është shtruar në spital, por që në adoleshencë u sëmur si e motra dhe babai zgjodhi ta lidhë dhe atë. Nëna u ndërroi jetë shpejt. 70-vjeçari Dine Keshi, babai i motrave, ka bërë të ditur se të bijat janë agresive dhe rrezik për banorët ndaj është detyruar t’i lidhë.

30 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›