Ina Zhupa: Do çojmë në SPAK çështjen e Butrintit, po trajtohet si mall tregëtar

Deputetja demokrate Ina Zhupa nuk i ka kursyer akuzat ndaj qeverisë për Parkun e Butrinit që sipas saj do jepet me koncension dhe do rrezikojë identitetin historik.
Zhupa tha se qeveria do të japë me marrëveshje sekrete trashëgiminë kulturore, ndërsa paralajmëroi se do e çojë këtë çështje në SPAK.
“Nëse është dhënë pronë private ndonjëherë në Butrint, kryeministri mund ta çojë në SPAK. Nëse nuk do të shkojë në SPAK se ka frikë se i hapen çështje të tjera, të ma japë mua se e çoj. Butrinti do jepet me koncesion, këtë nuk e mohoi as kryeministri. Ju na vini dhe na thoni që shteti do të jetë aty se do të jetë ministrja Elva Margariti pjesë. Është interesante që Margariti prezantohet si pjesë e bordit si emër, por jo institucion. Në bord ka 5 persona dhe Margariti është vetëm një dhe nuk ka asnjë pikë të vendimit të gjykatës ku thuhet se të ketë të drejtë vetoje. 4 personat e tjerë të cilët janë privat dhe kjo është e zeza mbi të bardhë, vendimi i gjykatës, është fakt, nuk e them unë”, tha Zhupa, teksa risolli në vëmendje raportin e DASH i cili ngrinte shqetësimin për korrupsionin në vendin tonë.
Sipas Zhupës, nuk ka se si Ministria e Kulturës të mos jetë pjesë e këtij korrupsioni.
“Butrinti tha ka partnerët tanë amerikanë, në fakt nuk na komplekson, kjo është vetëm fasada, DASH thotë se korrupsioni është endemik në të gjitha degët dhe nuk ka sesi Ministria jonë e Kulturës të mos jetë pjesë e këtij korrupsioni, u shpreh Zhupa.
Deputetja demokrate tha se po rrezikohet identiteti kombëtar dhe se PD nuk do ta lejojë një gjë të tillë pasi qeveria po tenton të vjedhë me vendime dhe ligje. Duke hequr paralele me çëshjen e inceneratorëve, Zhupa iu drejtohet shqiptarëve dhe iu thotë të mos çuditen për paratë që do përfitojë qeveria nga Butrinti.
“Ju arritët deri aty sa bëtë planin e menaxhimit të integruar pa përfshirë asnjë ekspert, asnjë studiues shqiptar të cilët sot janë të gjithë kundër. Pse mendoni se nuk kishte vlera për tu pyetur Auron Tare e arkeologë e studiues të tjerë shqiptarë?
Ne rrezikojmë identitetin tonë shqiptar, ne nuk mund ta lejojmë këtë gjë se jemi të votuar nga ata qytetar për të mbrojtur atë që po tentoni ta vidhni me ligje e vendim qeverie. Qeveria juaj ka vendosur që Butrinti të trajtohet si mall tregtar. Mos u çudisni si tek inceneratorët të kemi para për bileta avioni, për të blerë miell e sheqer, para për të justifikuar milionat që do të merren nga Butrinti. Na akuzoi si kope, në fakt ne nuk jemi grup i strukturuar kriminal, nuk jemi bandë. Me të njëjtin pasion, Rama ka mbrojtur aferën e inceneratorëve. Kjo gjë fillon që në vitin 2018, ligji për trashëgiminë kulturore që është bërë në mënyrë antikushtetuese dhe bie në kundërshtim me Konventën e Parisit”, tha Zhupa.
/rtsh.al/