Parku Kombëtar i Butrinit, Rama i drejtohet opozitës: I njohët pronën në teatrin Antik një subjekti fizik

Parku i Butrinit ka ndezur debate të forta në Kuvend mes opozitës dhe mazhorancës.
Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se PD i ka njohur pronën në Teatrin Antik të Butrintit një subjekti fizik.
Ai ka akuzuar opozitën se e kthyen Kalanë e Lezhës në një mejhane ku bëheshin shiringa droge.
Sipas Ramës, PD ka dhënë leje për benzinata nëpër parqe natyrore, e mbi monumente kulture.
“Sot e gjithë ditën ka një pretendent fizik, subjekt fizik për Butrintin si pronë familjare, me pronën të njohur nga ju. I keni njohur pronën në teatrin Antik të Butrinti një subjekti fizik. Keni pranuar se sot në Shqipëri jeton stër, stër stër stër stër nipi i atyre që ndërtuan teatrin antik. Këta jeni ju. Budallallëku në familjen tuaj është sëmundje ngjitëse.
Ju keni një nivel bazik të gjuhës shqipe, nivel i ulët fare. Do më falni për mungesën e modestisë, por ne e kemi çik ndryshe këtë punë. Unë po ti them dikujt je budalla, kjo është fyerje. Unë thash ju keni budallallëkun, sëmundje ngjitëse në kopenë tuaj. Dhe nëse ju u ndjetë dele, ky është problem juaj.
Këto janë mënyra të të shprehurit.
Nëse do hyjmë te gjuha parlamentare, ju nuk duhet të hynit kurrë më në Parlament sepse ju nuk thoni thjesht fjalë fyese, por shani me fjalë të cilat përbëjnë akuza penale. Për mua nëse dikush më thotë budalla skam asnjë problem, është opinion, por nëse dikush më thotë je kriminel, hajdut, etj, patjetër që kam problem.
Në 1993 nuk është themeluar fondacioni shqiptaro-amerikan por fondi shqiptaro-amerikan.
Ju akuzoni një fondacion i cili është jofitimprurës i financuar nga qeveria e SHBA. Ju bëni akuza a thua se fondacioni është ministria juaj e Kulturës që Kalanë e Lezhës e bëri me disko dhe e ktheu në një hapësisë ku bëheshin shiringa droge. Ky është koncepti juaj për trashëgiminë kulturore. Unë kam gjetur bingo në Pallatin Kombëtar, te Piraminda, etj.
Sot që flas shteti ynë është në Gjykatë të Lartë në proces akoma për ato diskot dhe mejhanet që latë në Kalanë e Lezhës. Ju jeni fundi.
Ju keni dhënë leje për benzinata nëpër parqe natyrore, mbi monumente kulture”, tha Rama.
Më tej ai iu drejtua kryetarit të grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeajt se nuk është gjë tjetër veçse kopja ‘e shëmtuar’ e Sali Berishës.
Sipas kreut të qeverisë, shqiptarët nuk e votojnë PD pasi nuk shohin asnjë ndryshim mes demokratëve.
“Ti z. Alibeja je e njëjta gjë me atë të cilin medemek je kundërshtar sot. Ti the që unë çova ikona në Gjermani, këtë e ka thënë ai, the që ikonat paskan humbur. Prandaj nuk ju voton njeri dhe prandaj ai i vdekur komplet u çua dhe ju mori përpara komplet. Njerëzit nuk shohin asnjë ndryshim mes jush. Ju jeni kopje të shëmtuar të tij.
Fatkeqësi e madhe për të gjithë jetimët që keni lënë rrugëve, i keni bërë mish për top. Na tregoni ju ne se si bëhet Parku i Butrinit, o vdeksha unë për ju!”, përfundoi Rama.
/rtsh.al/