E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

‘Komisioni i Rithemelimit’: Përfundon procesi i votimit në 70 degë të PD, problem listat e anëtarësisë

Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në Partinë Demokratike kanë dalë në një konferencë për media për të bërë transparencë për procesin zgjedhor në degët e PD. Albana Vokshi ka bërë me dije se ka përfunduar procesi i votimit në 70 degë të Partisë Demokratike, ndërsa tha se zgjedhjet nuk janë zhvilluar në dy degë, në Malësinë e Madhe dhe degën nr.12 në Tiranë.

Vokshi theksoi se menaxhimi i zgjedhjeve ka qenë shumë i mirë nga grupet e punës ndërsa sa i përket kandidatëve tha se janë me integritet të lartë.

Ajo shtoi se 39.512 mijë anëtarë kanë marrë pjesë në votim ndërsa theksoi se kryetarët e zgjedhur janë figura me reputacion të lartë.

“Janë zgjedhur 8 zonja kryetare Ende nuk është niveli i duhur i grave kryetare. Për herë të parë kanë qenë anëtarët që kanë përzgjedhur dhe kanë votuar për kryetarët e tyre, pa pasur asnjë imponim nga lart, të emrave, qoftë nga Komisioni i Rithemelit, dhe as nga komisioni jonë.  Një problematikë e mbartur, e trashëguar janë listat e anëtarësisë së PD. Ka pasur ndryshim të numrave të anëtarësisë, ne kemi përdorur të vetmen listë që kemi patur. Procesi është menaxhuar shumë mirë, ka fryrje të listave. Detyra nr. 1 pas kuvendit të 30 qershorit, është fillimi i punës për lista të sakta të PD. Janë ende dy degë për tu zhvilluar zgjedhjet. Shifra në total do jetë mbi 40 mijë anëtarë”, tha Vokshi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›