Varhelyi: Integriteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve është çelësi për të ardhmen e vendit

Teksa ndodhet për vizitë zyrtare në Tiranë Komisioneri i BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelhyi ka vizituar organet e vettingut në vendin tonë.
Komisioneri Varhelyi e cilësoi realizimin e procesit të rivlerësimit një arritje themelore për të ardhmen e vendit, si dhe shprehu vlerësime për punën e deritanishme të organeve të vetingut.
Ai inkurajoi anëtarët e organeve të rivlerësimit të vijojnë me procesin bazuar mbi themelet e forta të punës së bërë, si edhe garantoi mbështetjen e plotë të Komisionit Evropian në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Në një postim në rrjetin social Twitter, Varhelhy shprehet se Integriteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve është çelësi për të ardhmen e vendit, ndaj ai kërkon që të ndalen sulmet ndaj organeve të vettingut.
“E nisa vizitën time me një shkëmbim të mirë me institucionet vetting-ut dhe ONM sot në Tiranë. Rikonfirmoi mbështetjen e plotë dhe të fortë të BE-së. Integriteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve është çelësi për të ardhmen e vendit. Sulmi ndaj organeve të vettingut dhe anëtarëve apo familjeve të tyre duhet të ndalet!”, shkruan Varhelhyi.
Vizita e Varhelhyi-t në Shqipëri, vjen pas një turi takimesh që zyrtari i lartë i BE do të zhvillojë në Ballkanin Perëndimor.
/rtsh.al/