E Diel, 1 Nëntor 2026

Inaugurimi i Katedrales, Topalli shmang takimin me Topin e Ramën

TIRANE- As Kisha nuk pajton Topin, Topallin dhe Ramën. Në rast se Presidenti i Republikës Bamir Topi, shtrëngoi duart me liderin e opozitës, Edi Rama, një gjë e tillë nuk u bë nga ana e Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, e cila për asnjë moment nuk pati përballje me Topin dhe Ramën, madje u mundua të evitonte kalimin përpara Edi Ramës, në momentin e daljes nga ambientet e Kishës. E gjithë skena, gati - gati komike, është zhvilluar në ambientet e Katedrales së re Ortodokse, “Ngjallja e Krishtit”, e cila u inaugurua ditën e djeshme, në prani të një numri të madh besimtarësh dhe të ftuarish. 

POLITIKANËT 
Ashtu si në çdo aktivitet tjetër, edhe në festat fetare, politikanët kërkojnë të jenë në qendër të vëmendjes. Fillimisht, të parët në Katedrale kanë hyrë ministrat Pollo e Bumçi, të ndjekur nga lideri i opozitës, Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja e tij. Vetëm pak minuta më pas, e veshur me një fustan të kuq është shfaqur në derën e kishës, Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, e cila është përshëndetur vetëm me dy ministrat dhe është ulur në krah të Spiro Kserës dhe Vangjel Dules, të cilët kishin mbërritur që në orët e para të mëngjesit. Nuk ka vonuar shumë dhe mobilizimi i efek- Thimi Samarxhiu tivëve të Gardës së Republikës ka njoftuar ardhjen e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i cili është ulur vetëm pak metra larg Topallit dhe në krah të ministrit Bumçi. Gjatë gjithë ceremonisë, “politikanët rivalë” nuk kanë shkëmbyer asnjë shikimin mes tyre. Një situatë e sikletshme u krijua kur stafi i Kishës Ortodokse për arsye teknike vendosi të lëvizte karrigen ku ishte ulur Presidenti Topi, duke e afruar atë me karrigen e Kryeparlamentares Topalli. Të gjithë politikanët e pranishëm po prisnin momentin e përshëndetjes mes të dyve, por kjo gjë nuk ndodhi as në çastin kur Presidenti Topi u largua i pari nga salla, duke përshëndetur vetëm Edi Ramën. Organizatorët e ceremonisë kishin planifikuar që dalja e personaliteteve të bëhej nga një derë anësore dhe kjo gjë ka bezdisur disi Kryeparlamentaren Topalli, e cila ishte e detyruar të kalonte përpara kreut të PS-së, Edi Rama. Kur shoqëruesit e saj i kanë treguar rrugën se nga duhet të dilnin, Topalli pasi ka parë Ramën në horizont ka deklaruar: “Pse këtej duhet të dal?”. Pasi ka marrë pohimin, kryeparlamentarja ka vijuar rrugën duke kaluar përpara Edi Ramës, i cili pikërisht në ato çaste i kishte hedhur dorën bashkëshortes së tij. Jozefina Topalli ka kaluar pa përshëndetur asnjë prej personaliteteve që ishin ulur në rresht të parë, përfshi këtu dhe dy ministrat Bumçi dhe Pollo.
(m.a/Thimi Samarxhiu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›