Inaugurohet Ministria e re e Kulturës
• Ministria e Kulturës hyn në "shtëpi" të re. Ish-godina e Lidhjes së Shkrimtarëve, tashmë është shndërruar në zyra, në salla konferencash, ekspozitash apo salla ku mblidhen artistët e diskutojnë.Sot në orën 18:00 kryeministri Sali Berisha dhe ministri Pango do të presin shiritin e inaugurimit të godinës së re të MTKRS-së. Kësisoj merr fund kalvari i gjatë i sherreve dhe debateve të pafundme mes drejtuesve të kësaj ministrie dhe drejtuesve të LSHA-së, të cilat nisën më tepër se tre muaj më parë. Drejtori i Përgjithshëm në MTKRS-së, Flamur Shehu, atë kohë bëri me dije se projekti do të përfundonte në muajin dhjetor të këtij viti dhe kështu ndodhi në të vërtetë. Prej kohësh në këtë godinë, ka nisur rikonstruktimi total i saj, një investim i MTKRS, me fond të buxhetit të shtetit prej 60 milionë lekësh të reja. Lidhja e Shkrimtarëve e kishte humbur prej kohësh funksionin e saj gjithëpërfshirës, kështu me vendim të Këshillit të Ministrave u bë kalimi në përgjegjësi administrimi nga ana e ministrisë për ushtrimin e veprimtarisë së këtij institucioni. Ajo që vihet re në këtë godinë është rikthimi i entuziazmit të vlerave të harruara të godinës. Sipas zyrës së shtypit të ministrisë, mësohet se punimet kanë përfunduar për një kohë prej 100 ditësh, duke filluar që nga muaji shtator. Në tërësi godina është krijuar me pjesë të veçanta, të cilave u janë vënë emra personalitetesh të njohur të artit shqiptar. Pjesë e kësaj godine është një sallë në formën e një ekspozite-galerie, që ka marrë emrin e piktorit të madh "Ibrahim Kodra". Por në këtë galeri do të promovohen veprat dhe instalacionet e artistëve të rinj, gjithashtu një tjetër sallë, dedikuar artistëve për biseda, refleksione, debate dhe shkëmbim eksperiencash mes tyre, mban emrin e mjeshtres së muzikës Tefta Tashko Koço. Ndërsa tarraca e parë është emërtuar "Vëllezërit Lymier", e tarraca e dytë mban emrin e shkrimtarit të madh, "Gjergj Fishta". Sipas specialistëve të ristrukturimit, stili arkitekturor i brendshëm ka synuar të krijoje vizionin për "Një kulturë dhe art, të hapur me të gjithë dhe për të gjithë". Godina e Lidhjes së Shkrimtarëve është e vitit 1932, vepër e arkitektit Dhimitër Dhespotit, inxhinier i xhenios, në ushtrinë shqiptare të kohës së Zogut. Ajo është përdorur si shtëpi për ushtarakët, në kohën e Mbretit Zog. Mbas çlirimit u ruajt funksioni si godinë për ushtarakët, deri pas viteve '70, kur u ndryshua destinacioni, në funksion të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë. Ndërsa sot, krahas inaugurimit të godinës së re të ministrisë do të ndahen edhe çmimet e letërsisë, deri një vit më parë të quajtur "Penda e artë dhe e argjendtë".