E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi, inicion "Koncertet e Pallatit"

• "Koncertet e Pallatit", një iniciativë e re, e iniciuar nga Presidenti shqiptar, Bamir Topi ka marrë udhë që dje, në Pallatin e Brigadave.Ka nisur dje pasdite kur edhe është bërë çelja e këtij aktiviteti, me një koncert, në të cilin ka interpretuar violinistja shqiptare Suela Mullaj e shoqëruar nga dirigjenti, pianisti dhe kompozitori italian Masimo Palumbo. "Koncertet e Pallatit" është një traditë e re, e cila synon të sjellë në mënyrë sistematike artistë të talentuar shqiptarë e të huaj në koncerte me pjesët më të zgjedhura të muzikës klasike botërore, në kohë të ndryshme. Ndërsa në koncertin e djeshëm të violinistes shqiptare e cila jeton prej vitesh në Itali, kanë marrë pjesë autoritetet më të larta drejtuese në vend, personalitete të artit, kulturës dhe të jetës shoqërore, si dhe Trupi Diplomatik. Gjatë këtij koncerti, të ftuarit kanë pasur mundësi të ndjekin pjesë të zgjedhura nga Sarasate, Paganini, Respigi dhe kompozitorit të mirënjohur shqiptar, Pjetër Gaci. Suela Mullaj ka lindur në një familje me tradita muzikore dhe konsiderohet si një nga talentet më të mëdha të Shqipërisë. Është transferuar mjaft e re në moshë në Itali me ftesë të mjeshtrit Abado dhe ndjek studimet në Konservatorin "Xhusepe Verdi", në Milano. Në vitin 2000, themelon së bashku me dirigjentin dhe pianistin Masimo Palumbo të mirënjohurën United Europe Chamber Orchestra me të cilën luan si soliste prej gjashtë vjetësh në sezonin pranë "la Sala Verdi" të Konservatorit Xh. Verdi në Milano dhe në turne të shumtë evropianë me një bilanc prej më shumë se 150 koncerte dhe në një repertor që kap një hapësirë nga Baroku e deri në koncertet e mëdha romantike dhe moderne.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›