E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehen nga studentët komeditë e Çajupit

• Salla e vogël e Qendrës Ndërkombëtarë të Kulturës, ka ditë që po gumëzhin nga zëri i hollë i zonjëzës Lulushe, nga të qeshurat gjithë ironi të Zenelit e nga historirat e çuditshme të Adhamudhit.anila mema Ndërsa i afrohesh derës së asaj salle të vogël, e ndërsa dëgjon minutë pas minute tekstin e njohur kupton se aty po bëhen provat për vënien në skenë të komedisë "Pas vdekjes". Pas portës pret që syri të të shohë portrete aktorësh të njohur ose dhe paksa të njohur. Në fakt ulur nëpër karrige e aty mbi skenë sheh vetëm disa të rinj, të djersitur, të skuqur, që duket se kanë aty me orë e orë të tëra duke punuar. E jo vetëm për komedinë "Pas vdekjes", por dhe për një tjetër vepër po kaq të njohur të Çajupit, komedinë tjetër të famshme të tijën "14 vjeç dhëndër".  Janë të gjithë studentë të vitit të dytë, në kursin e regjisë së dramës në Akademinë e Arteve. Janë bërë tok për të realizuar këtë projekt ambicioz nga profesoresha e tyre Sonila Kapidani, e cila e ulur në një kënd të sallës i ndjek në çdo moment, i kthen me qindra herë në skenat që ata nuk i realizojnë ashtu si duhet, i përgëzon ose i kritikon.... por nuk lodhet kurrë me ta. Sepse ajo, e di shumë më mirë se ata, se sa e vështirë është të vesh të tilla pjesë në skenë. "Do të jenë dy shfaqje "Pas vdekjes" dhe "14 vjeç dhëndër", të cilat i kemi mbledhur në një natë nën titullin "Kujtime nga Çajupi". Ky është një projekt i kompanisë teatrore "Atelier 31" në bashkëpunim me Qendrën Ndërkombëtarë të Kulturës "Pjetër Arbënori". Do të jetë një shfaqje që do të ndërtohet me dy stafe aktorësh, pra për çdo rol do të ketë dy aktorë dublantë me njëri-tjetrin. Do të jetë një teatër i trupit dhe i lëvizjes që do të sjellë në këtë skenë, të shtunën dhe të dielën, pra në datat 22 dhe 23 dhjetor komeditë e njohura të Çajupit me një frymë tjetër". Si? Personazhet e famshëm do të vijnë në kohët tona. Atyre u është ruajtur vetëm emri, ndërsa gjithçka tjetër e tyre ka një trajtim të ri. Sepse dhe tekstit të komedive, siç shpjegon Kapidani, i është bërë operacion.   Për këtë realizim ndryshe të këtyre komedive, janë zgjedhur pikërisht ky grup studentësh (Valdrin Hasani, Oriana Cama, Benard Laze, Anila Balla, Daniel Zhuli, Xhemi Demi etj), të cilët pedagogia i ka ndjekur që në vitin e parë të akademisë. "Qëllimi i kompanisë "Atelier 31" është pikërisht ky, të zbulojë dhe promovojë talentet e reja në teatër". Këtë fundjavë, në sallën e vogël të QNK-së, secili prej tyre do të ketë një shans më shumë për të zbuluar se çfarë di të bëjë. Ekspozita "Nëna", "Identiteti", "Stuhia", "Rrëfyestorja", janë disa nga punët e vlerësuara në ekspozitën më të fundit "Trego një histori" të çelur në Akademinë e Arteve, FAP. Ekspozita e artit bashkëkohor i përket një grupi artistësh të rinj, nën drejtimin e Ardian Isufit dhe Najada Hamzës. Është çelur mbrëmjen e së mërkurës në galerinë e Akademisë së Arteve me punët e 8 artistëve, nga të cilët katër prej tyre janë vlerësuar me çmime nga kompania celulare AMC, e cila njihet për mbështetjen e artit në Shqipëri. Dhe janë pikërisht puna e Ilir Kasos me titullin "Nëna", që u vlerësua me 2 mijë euro nga AMC-së, por gjithashtu nga juria janë vlerësuar edhe punët "Identiteti" i Rudina Hykës, "Stuhia" e Oert Mizirit dhe "Rrëfyestorja" e Dritan Zenelit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›