Inaugurohet mbikalimi i Kamzës
ADI SHKEMBI
Kryeministri Sali Berisha inauguron përfundimin e punimeve në mbikalimin e kthesës së Kamzës. Kreu i qeverisë ka prerë paraditen e djeshme shiritin e përfundimit të punimeve, një investim i financuar nga një kredi e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me vlerë 7 milionë euro. Duke folur në një prononcim për mediat, menjëherë pas prerjes së shiritit, kreu i qeverisë tha se: "Tirana sot e tutje, ka një hyrje moderne, ka një hyrje si çdo metropol i madh evropian, por kjo vepër e cila përfundon sot është një lehtësim i madh i trafikut nga Durrësi, Fieri, Vlora, Lushnja, Berati dhe mbarë Shqipëria e Jugut, është lehtësim i madh i gjithë trafikut nga mbarë Veriu i vendit për të hyrë në Tiranë. Faktikisht kjo është dhe nyja kryesore në të cilën kryqëzohen pothuajse të gjitha lëvizjet drejt kryeqytetit". Sipas kreut të qeverisë ky është një tjetër premtim i mbajtur, ndërsa shtoi se zinxhiri i përurimeve do të mbyllet me ndërtimin e një rrjeti rrugor modern evropian në Shqipëri. "Ky është një premtim i mbajtur i qeverisë time. Në një hark kohor të shkurtër ne kemi inauguruar një seri veprash publike shumë të rëndësishme për jetën e qytetarëve shqiptarë, dhe ju siguroj se zinxhiri i inaugurimeve të kësaj qeverie do të mbyllet me ndërtimin e plotë në Shqipëri të një rrjeti rrugor modern evropian. Ky është premtimi ynë", tha Kryeministri Berisha. "Kjo është një vepër e bukur me 6 korsi, me rrugët anësore dhe me ngritjen e zbutur që bën këtu i nxjerr përpara udhëtarit, Tiranën deri në thellësinë e saj dhe e njeh menjëherë me qytetin. Është një vepër e mrekullueshme", tha Kryeministri teksa vlerësoi kompaninë ndërtuese, kompaninë supervizore, inxhinierët dhe punëtorët, të cilët me përkushtim dhe cilësi i dorëzuan Tiranës dhe Shqipërisë këtë vepër të madhe. Mbikalimi në Kthesën e Kamzës përbën portën kryesore për të hyrë në Tiranë. Punimet në këtë vepër publike përfshinë ndërtimin e një aksi kryesor me një gjatësi 1040 m, i ndarë në 6 korsi me 3.75 m secila, një rrethrrotullim me gjatësi 700 m si dhe rrugë shërbimi me gjatësi 2 km. Punimet për ndërtimin e mbikalimit janë kryer nga firma austriake "Alpine Mayreder Bau", ndërsa supervizimi i punimeve është kryer nga firma "Italconsult".
7 milione euro
Punimet e mbikalimit të kthesës së Kamzës kapën një vlerë investimi prej 7 milionë eurosh, një investim i financuar nga një kredi e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim
1040 metra
Punimet përfshinë ndërtimin e një aksi kryesor me një gjatësi 1040 m, i ndarë në 6 korsi me 3.75 m secila, një rrethrrotullim me gjatësi 700 m si dhe rrugë shërbimi me gjatësi 2 km
Berisha ironizon Ramën
Teksa ka prerë shiritin e përfundimit të punimeve në mbikalimin e Kthesës së Kamzës, kreu i qeverisë ka ironizuar kreun e Bashkisë së Tiranës, njëherësh edhe kreu i opozitës, për mungesën në këtë ceremoni. "Pavarësisht se kjo vepër e bën kryeqytetin e Shqipërisë me hyrjen e tij evropiane, kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të saj", u shpreh Kryeministri Berisha. Edhe gjatë mbledhjes së fundit të qeverisë Kryeministri Berisha kritikoi Bashkinë e Tiranës lidhur me procedurat për dhënien e lejeve të ndërtimit. Sipas Berishës, Shkodra dhe Vlora janë në vendet e para të një studimi të Bankës Botërore, ndërsa Tirana është disa shkallë pas tyre.