E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tratativat për Bogdanin, gjobë 2 klubeve të Serisë A

Kanë biseduar për një transferim të mundshëm të Erjon Bogdanit në verën e vitit 2006 nga Siena drejt Xhenoas, por kjo u ka kushtuar nga një gjobë të majme si dhe disa ditë pezullim në çështjet e merkatos. 

JETMIR HALILAJ

 Enriko Preciozi, presidenti i Xhenoas dhe Xhorxho Perineti, ish-drejtori sportiv i Sienës, kanë shkelur rregullat e Federatës Italiane të Futbollit, teksa kanë biseduar për merkato, por ndërkohë kishin qenë të pezulluar nga Komisioni i Disiplinës për shkak se ishin të përfshirë në skandalin e "calciopolit".
Dënimi
Xhorxho Perineti, ish-drejtor sportiv i Sienës dhe aktualisht drejtor sportiv i Napolit është pezulluar për 20 ditë dhe është gjobitur me tre mijë euro për shkak se ish-drejtuesi i Sienës ka hyrë në bisedime me Preciozin për Bogdanin, ndërkohë që të dy këta persona ishin të pezulluar. Ndërkaq, Enriko Preciozi është ndëshkuar dje nga Komisioni i Disiplinës me 10 ditë pezullim dhe tre mijë euro gjobë. Është gjobitur gjithashtu, edhe klubi i Xhenoas me 3 000 euro, duke qenë se Preciozi është përfaqësues i kësaj skuadre.
Përgjimet
Drejtori sportiv i Juventusit, Alesio Seko, ish-presidenti i klubit, Roberto Betega, janë pezulluar nga Federata Italiane e Futbollit për një muaj, për shkak se kanë zhvilluar bisedime për transferimin e lojtarëve Krishito dhe Mazielo me Enriko Preciozin, presidentin e Xhenoas, i cili në kohën e kur është zhvilluar biseda (janar 2007), ka qenë i pezulluar. Kjo sipas rregullores italiane, konsiderohet shkelje dhe për këtë arsye janë ndëshkuar edhe Seko e Betega. Komisioni i Disiplinës ka gjobitur me 10 mijë euro klubin e Juventusit dhe 15 mijë euro klubin e Xhenoas. Këto masa janë marrë nga organet juridike të Federatës italiane, pas përgjimeve të bëra nga policia italiane dy vjet më parë. Ndëshkimi i Xhorxho Perinetit, drejtorit sportiv të Napolit nuk është pritur mirë nga kreu i skuadrës, De Laurentis.

Sulmuesi kishte menaxher djalin e Moxhit
Deri në fund të sezonit 2005-2006, para se të shpërthente skandali i 'calciopolit' në kampionatin italian, ku i akuzuari kryesor ishte ish-drejtori sportiv i Juventusit, Luçiano Moxhi, Erjon Bogdani kishte menaxher djalin e këtij të fundit, Alesandro Moxhin. Ky ishte presidenti i agjencisë së transferimit të lojtarëve, "GEA", e cila ishte gjithashtu, e përfshirë në afera të pista. "Unë nuk kam pasur asnjëherë probleme me Alesandron dhe gjithnjë gjërat kanë vijuar normalisht për aq kohë sa unë kam bashkëpunuar me të" është shprehur në atë periudhë Erjon Bogdani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›