E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeveria më hoqi pensionin për babanë e djegur nga gjermanët”

 

ELBASAN – Të atin ia kanë djegur të gjallë në kampet shfarosëse në masë në Gjermani, por megjithë shpalljen dëshmor, familja nuk përfiton asnjë pension prej më shumë se 3 vjetësh. Rakip Spahiu, 77 vjeç, tregon se të vetmin përfitim material nga qeveria e ka kanë pasur në shumën prej 5 mijë lekësh nga viti 2002 deri në 2006. Por sot, familja e tij ashtu si dhe 426 të tjera, të afërmit e të cilëve kanë pësuar të njëjtin fat tragjik, ndihen të braktisur. Spahiu thotë nëpërmjet gazetës se i bën apel qeverisë Berisha për t’i ndihmuar, ndërsa pohon se do t’i nisin dhe një letër kancelares gjermane, Angela Merkel për dëmshpërblimin e tyre, moral e më pas material. “Babai im, Nafiz Spahiu bënte pjesë në lëvizjen nacionalçlirimtare. Në vitin 1943 ai internohet bashkë me 426 kryefamiljarë të tjerë në kampet e përqendrimit në Gjermani. Nuk dinim asgjë për fatin e tij, derisa pas disa vitesh një nga të internuarit, doktor, arrin të shpëtojë për shkak të profesionit që kishte dhe kthehet në Shqipëri. Prej tij mësuam se babai im ishte djegur i gjallë bashkë me shumë të tjerë. Kërkuam dhe më vonë, por të gjitha faktet tregonin të njëjtën gjë. Ndërsa në vitin 1988 nga Gjermania kthehen eshtrat e tij, të cilat ndodhen në varrezat e dëshmorëve në Vlorë”. Pas viteve ’90, Rakip Spahiu tregon se ishte interesuar që të përfitojë ndonjë dëmshpërblim për atë çfarë iu shkaktua familjes së tij nga ana e shtetit gjerman. Për 4 vjet ka marrë pension mujor prej 5 mijë lekësh, por ky iu ndërpre papritur, pas klasifikimit me statusin e anëtarit të luftës nacionalçlirimtare. Prej vitit 2006, familja Spahiu dhe qindra të tjera kërkojnë rikthimin e pensionit, në të kundërt kërcënojnë me protesta. “Të gjithë së bashku do t’i nisim dhe letër kancelares gjermane Merkel, ku do t’i parashtrojmë kërkesat tona për shpërblim, i cili më tepër është moral, pasi nuk është zgjidhje për hallet ekonomike të 427 familjeve”.                a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›