E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incest për 11 vjet, katër akuza për babain mostër

Katër akuza të rënda janë ngritur nga Prokuroria ndaj të pandehurit Ramadan Isufaj, personazh i dyshuar për një prej krimeve më rrëqethëse të ndodhura brenda familjes shqiptare vitet e fundit. 

Disa ditë më parë, Prokuroria e Tiranës u dha fund hetimeve 6-mujore ndaj 58-vjeçarit banues në Laknas dhe dërgoi në gjykatë dosjen penale me akuzat ndaj tij. Shqyrtimi gjyqësor për këtë dosje pritet të fillojë, ndërsa është parashikuar që vajza e të pandehurit të dëshmojë me dyer të mbyllura për shkak të karakterit të thënieve të saj si dhe për shkak të moshës dhe ruajtjes së identitetit. Në proces pritet të paraqitet si dëshmitare edhe nëna e vajzës, bashkëshortja e të akuzuarit, të cilës për herë të parë e dëmtuara 21-vjeçare i tregoi për veprimet e turpshme që kryente Ramadan Isufaj ndaj saj. Personazhi i arrestuar që në muajin shkurt të këtij viti, dyshohet se ka kryer abuzime seksuale për 11 vjet me radhë me vajzën e tij, kur e dëmtuara ka qenë në moshë të mitur. Për këtë shkak, akuza e parë e Prokurorisë ndaj Ramadan Isufajt është “kryerja e marrëdhënieve seksuale me të mitura nën 14 vjeçe, me dhunë”.
Abuzimet me vajzën
Kjo akuzë i referohet pikërisht kallëzimit të bërë në polici në muajin shkurt 2008 nga vajza e të arrestuarit, e cila akuzoi babain e saj për dhunën seksuale disavjeçare. Për shkak se abuzimet kishin vazhduar edhe pasi vajza kaloi moshën 14 vjeçe, Prokuroria pasi ka gjetur prova e dëshmi për këtë fakt, ka ngritur akuzën e dytë ndaj Ramadan Isufajt, për “kryerje e marrëdhënieve seksuale me dhunë më shumë se një herë me të mitura nga 14-18 vjeçe”. Nga dëshmitë rrëqethëse të vajzës, por edhe nga të afërmit tjerë, si dhe nga hetimi paraprak, Prokuroria ka mësuar se vajza e të arrestuarit kishte tentuar disa herë të kryente vetëvrasje, për shkak të veprimeve të turpshme të babait të saj. Ai dyshohet se ushtronte dhunë ndaj vajzës së tij për të abuzuar me të e më pas për ta detyruar të mos tregonte episodet e turpshme dhe veprimet e tij. Për shkak të kësaj gjendje, sipas hetimeve, vajza ka tentuar të kryente vetëvrasje, e shtyrë nga turpi për gjithçka po ndodhte. Ky është shkaku pse, Prokuroria ka ngritur edhe akuzën e tretë ndaj Ramadan Isufajt, “shkaktim të vetëvrasjes”, duke e konsideruar atë përgjegjës për nxitjen e mendimit dhe veprimit të vajzës së tij për t’u vetëflijuar në formë shpëtimi për të dalë nga gjendja e rëndë e shkaktuar prej abuzimeve të turpshme në familje. Akuza e katërt, e cila është renditur në dosjen penale të Ramadan Isufajt, është “heqja e paligjshme e lirisë”. Kjo vepër penale bazohet në dëshmitë dhe provat e mbledhura nga Prokuroria e Tiranës, të cilat tregojnë se 58-vjeçari e mbante të izoluar vajzën nga pjesa tjetër e familjes dhe shoqëria në intervale kohore të ndryshme, me qëllim abuzimin seksual ndaj saj. Sipas hetimeve, i arrestuari përmes dhunës dhe pa dëshirën e vajzës, e ka mbajtur atë “të rrëmbyer” për të realizuar veprimet e tij të turpshme larg mundësisë për t’u zbuluar. Në fazën e parë të hetimit i pandehuri ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij, por më pas ai ka pranuar abuzimet edhe pse vajza, u tërhoq nga denoncimi që kishte bërë vetëm pak ditë pasi policia arrestoi babain e saj. Prokuroria pretendon se ka gjetur prova të plota për këtë rast. Megjithatë, gjykata do të jetë institucioni që do të japë një vendim përfundimtar duke saktësuar çfarë ka ndodhur në të vërtetë për 11 vjet me radhë në familjen, që banonte në periferi të Tiranës.             tr.so

Misteri i denoncimit të babait
Menjëherë pas denoncimit të bërë në polici nga vajza 21-vjeçare me iniciale E.I., grupi i hetimit filloi verifikimet e para. Hetuesit dyshuan nëse mes bashkëshortes dhe Ramadan Isufajt kishte pasur ndonjë konflikt, çka mund të kishte nxitur gruan të inkurajonte vajzën për të bërë denoncimin. Bashkëshortët kishin pasur mosmarrëveshje, por sipas hetimit ato nuk ndikuan në denoncim.

I pandehuri

Ramadan Isufaj         58 vjeç
 
Akuzat
 
1. Kryerje e marrëdhënieve seksuale me të mitura nën 14 vjeçe me dhunë

2. Kryerje e marrëdhënieve seksuale me dhunë më shumë se një herë me të mitura nga 14-18 vjeçe

3. Shkaktim të vetëvrasjes

4. Heqje e paligjshme e lirisë

Pas arrestimit të babait në Tiranë, vajza strehohet në qendër sociale 

TIRANE – Vajza 21-vjeçare, e cila denoncoi babain e saj në polici, u desh që më pas për disa seanca hetimore me radhë të dëshmonte lidhur me rrethanat e abuzimeve nga i ati. Të gjitha dëshmitë e vajzës janë marrë nga oficerët e Policisë Gjyqësore, në prani të një psikologeje në mënyrë që, hetimi të mos e rëndonte më tej gjendjen e vajzës 21-vjeçare. Pas arrestimit të babait të saj, ajo është strehuar në një qendër sociale në Tiranë, ku mësohet se një ekip specialistësh dhe psikologësh po kujdesen për rehabilitimin e saj. Gjatë fazës së hetimeve, Prokuroria ka realizuar edhe një ballafaqim mes vajzës dhe babait, për shkak se në fillim të procedimit pozicionet dhe deklarimet e të dyve nuk kanë qenë shumë të qarta. Grupi hetimor është kujdesur të realizonte edhe verifikimet mjekësore me efektin e provës për abuzimet e kryera nga Ramadan Isufaj. Rezultatet e këtyre ekspertimeve janë paraqitur në gjykatë dhe pritet të shqyrtohen gjatë gjykimit të dosjes në gjykatën e kryeqytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›