E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Brenda korrikut të votohet ligji i spiunëve

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i kërkon komisionit parlamentar të Ligjeve, që të shqyrtojë brenda dy javëve projektligjet për ish-spiunët e sigurimit të shtetit. 

BLEDAR HOTI

 Me anë të një letre drejtuar kryekomisionerit Fatos Beja, Topalli nxit komisionin e Ligjeve të rimarrë në shqyrtim 3 projektligjet “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës”. Në një letër dërguar Komisionit të Ligjeve, Topalli nxit shqyrtimin me përparësi të këtyre p/ligjeve. “Do të kërkoja që këto projektligje, të përfshira në kalendarin e punës së komisionit të Ligjeve, të shqyrtohen me përparësi për të mundësuar kalimin e tyre sa më shpejt në seancë plenare”, shprehet Topalli, në letrën e drejtuar këtij komisioni. Prej më shumë se dy vitesh gjenden në zyrat e Kuvendit projektligjet e tre grupeve parlamentare PD, PS dhe PDK. I pari që paraqiti këtë nismë ishte Nard Ndoka i PDK-së, i cili hasi rezistencën e maxhorancës së atëhershme, për të mos e votuar nismën ligjore. Pas miratimit të rezolutës së KE-së nga Parlamenti Shqiptar në tetor të vitit 2006, dy grupet e mëdha nisën garën për paraqitjen e nismave për ligjin e anti-spiunëve. Grupi parlamentar i PD-së ka iniciuar p/ligjin “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë të administratës dhe së të zgjedhurve”, grupi parlamentar i PS-së, ka depozituar p/ligjin “Për verifikimin e të qenit bashkëpunëtor të Shërbimeve Sekrete Shqiptare para datës 31.12.1992, të funksionarëve të lartë publike”. Ndërsa grupi parlamentar demokristian, ka propozuar p/ligjin “Për kontrollin e figurës së personit zyrtar të zgjedhur apo emëruar në organet e rëndësishme”. Në fakt, edhe pse qëllimin e kanë të njëjtë, tre nismat e paraqitura kanë këndvështrime të ndryshme në lidhje me mënyrën e futjes në sitë dhe të publikimit së të gjithë ish-spiunëve të Sigurimit të Shtetit dhe të bashkëpunëtorëve të tyre. Kështu, demokristianët kërkojnë moskandidim të personave me dosje të zezë gjatë regjimit komunist, madje dhe të mos punësohen në poste kyçe të administratës së lartë shtetërore. Ndërsa, demokratët nuk kërkojnë të heqin deputetët spiunë të kohës së komunizmit, por vetëm t’i informojnë. Sipas draftit të PD-së, verifikimi i pastërtisë së figurës kryhet nga një komision i përbërë nga 5 anëtarë, të zgjedhur nga Kuvendi. Kandidaturat për anëtarë propozohen nga: (1 - Komisioni parlamentar i Ligjeve, 1 - komisioni parlamentar i Sigurisë Kombëtare, 1 - ministri i Brendshëm, 1 - drejtori i SHISH dhe 1 - drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shtetit). Ndërsa Drafti PS-së, saktëson se “verifikimi i zyrtarëve të lartë shtetërorë do të bëhet nga një komision shtetëror i përbërë nga 5 anëtarë, që do të zgjasë 6 muaj dhe do të varet e përgjigjet për punën e kryer para Kuvendit të Shqipërisë”. Kryetari i komisionit të verifikimit propozohet të zgjidhte nga Presidenti, ndërsa katër anëtarët e tjerë të tij të jenë propozime të dy kampeve pozitë-opozitë. Por anëtarët e komisionit duhet të deklarojnë para nisjes së punës se nuk kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.

Tre draftet e p/ligjeve

Varianti i PD-së

Verifikimi i pastërtisë së figurës kryhet nga një komision i përbërë nga 5 anëtarë, të zgjedhur nga Kuvendi. Kandidaturat për anëtarë propozohen nga: 1. Komisioni parlamentar i Ligjeve; 1, komisioni parlamentar i Sigurisë Kombëtare; 1, ministri i Brendshëm; 1, drejtori i SHISH dhe 1, drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shtetit.

Varianti i PS-së

Verifikimi i zyrtarëve të lartë shtetërorë do të bëhet nga një komision shtetëror i përbërë nga 5 anëtarë, që do të zgjasë 6 muaj dhe do të varet e përgjigjet për punën e kryer para Kuvendit të Shqipërisë. Kryetari i komisionit të verifikimit propozohet të zgjidhet nga Presidenti, ndërsa katër anëtarët e tjerë të tij të jenë propozime të dy kampeve pozitë-opozitë. Por anëtarët e komisionit duhet të deklarojnë para nisjes së punës se nuk kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.

Varianti i PDK-së

Ish-spiunët do të kenë mundësinë të kandidojnë për deputetë dhe në njësitë e qeverisjes vendore

Ish-spiunët dhe bashkëpunëtorët ndalohen të zgjidhen në postet drejtuese të shtetit shqiptar

Kontrollit do t’i nënshtrohen Presidenti, deputetët e Kuvendit, kryeministri, nëpunës të nivelit të lartë dhe të mesëm.
Kontrollit do t’i nënshtrohen dhe gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve, zyrtarët që zgjidhen e emërohen nga Presidenti, Kryeministri, ministri dhe Kuvendi.

Për verifikimin e kontrollin e figurës së personit zyrtar ngrihet një komision i posaçëm pranë SHISH

Ky komision do të përbëhet nga inspektori i Përgjithshëm i Deklarimit të Pasurive.

Në përbërje do të jenë dhe katër anëtarë të emëruar nga Presidenti, me propozim të pozitës dhe opozitës me një mandat 5-vjeçar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›