E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Letra e Topallit, për të harruar Gërdecin dhe trafikun e armëve”

Partia Socialiste reagon pas kërkesës së kryeparlamentares Jozefina Topalli, për shqyrtimin nga komisioni i Ligjeve të drafteve për hapjen e dosjeve të sigurimit. 

I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, nënkryetari i grupit socialist, Erjon Braçe, tha dje se PS-ja e ka dorëzuar më shumë se tetë muaj më parë këtë draft dhe ka qenë Topalli ajo që e ka penguar. Gjithashtu, sipas Braçes, kjo kërkesë e kreut të Kuvendit bëhet që publiku të heqë vëmendjen nga shpërthimi tragjik i Gërdecit dhe trafiku i armëve. “Ne kemi dorëzuar projektligjin këtu e tetë muaj para dhe ka qenë pikërisht zonja Topalli, që duke shfrytëzuar gjithë pushtetin e saj ka vonuar diskutimin e p/ligjit tonë në Parlament”, theksoi Braçe. Sipas tij, “momenti në të cilin është duke diskutuar lë për të dëshiruar, sepse kërkon të heqë vëmendjen e opinionit publik nga çështja e Gërdecit dhe më pas edhe trafikun e armëve në të cilin është përfshirë Shqipëria përmes një mashtrimit ndaj Departamentit amerikan të Shtetit dhe Departamentit të Mbrojtjes. Së treti, kërkon të tërheqë vëmendjen e publikut nga kriza e thellë ekonomike ku ndodhet vendi”. Duke iu rikthyer diskutimit të hapjes së dosjeve, Braçe tha për gazetën se parlamenti duhet të votojë pikërisht variantin e socialistëve, pasi sipas tij, variant i PD-së, i njëjtë me ligjin e 1996, bie ndesh me Kushtetutën. “Ne mbështesim variantin tonë të p/ligjit. Janë edhe dy propozime të tjera të PD e PDK. Ai i PD shkon përtej kontureve të propozimit tonë dhe kthen për diskutim ligjin antikushtetues të 1996. Në parlament është bërë traditë që miratohen ligje antikushtetuese por ne s’jemi të gatshëm të diskutojmë variantin antikushtetues”, theksoi më tej Braçe. Në fund ai kërkoi nga Kuvendi që këto 30 ditë deri në mbyllje të punimeve të kuvendit, puna të përqendrohet vetëm te miratimi i kodit zgjedhor dhe nëse ngel kohë, sipas Braçes të shqyrtohet korrupsioni që po bëhet në Rrëshen-Kalimash. “Momenti nuk është oportun, sepse ne besojmë që Parlamenti duhet të angazhohet nga nesër në miratimin brenda korrikut të Kodit të ri Zgjedhor. KQZ dhe çdo deputet i Parlamentit këto 30 ditë punë duhet të angazhohet vetëm me këtë gjë. Në rast se tepron koha duhet të merremi me veprat e korrupsionit, me Rrëshen-Kalimash ku Topalli duhet të dijë që 30 milionë euro që i paguhet firmës Bechtel çdo ditë 10 milion euro vidhen përmes çmimeve të larta që aplikohen atje”, përfundoi nënkryetari i deputetëve socialistë. a.sh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›