E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Duam drejtësi për çamët që u vranë egërsisht”

Bledar Hoti 

Zoti Idrizi, pse vendosët t’i drejtoheshit parlamentit me një fjalim si ai i së hënës?
Data 27 qershor e njohur si data e Gjenocidit Çam më obligon mua si deputet e si qytetar i këtij komuniteti të bëja një homazh për ata mijëra shqiptarë të Çamërisë, që 64 vjet më parë u vranë thjesht dhe vetëm se ishin shqiptarë. Unë u thashë kolegëve të mos prisnin që unë të lëshoja nga goja fjalë, që do të provokonin keqardhjen e tyre. Por, ama doja të provokoja vëmendjen e tyre, reagimin e dinjitetit te tyre. Do të doja të nxisja veprim politik të arsyeshëm, që ka vetëm një synim: Drejtësi për ata mijëra të mbijetuar nga gjenocidi i pranverës së vitit 1944 për pasardhësit e tyre, që janë me qindra mijëra, e që shumë prej liderëve politikë përpiqen t’i manipulojnë në raste zgjedhjesh.
Ka debate pse u përzu popullsia çame. Ambasadori Kokosis jep versionin se popullsia çame bashkëpunoi me gjermanët...Dhe se iku nga frika e ndëshkimeve...?
Kjo është qesharake dhe absurde, e si mundet një popullsi e tërë pleq, gra e fëmijë, që u vra barbarisht, mbi të cilët u aplikua një spastrim etnik i pastër, të ketë bashkëpunuar e të mbajë përgjegjësi kolektivisht. Eshtë njësoj sikur të më pyesni mua a ka bashkëpunuar babai im, që në atë kohë ishte 1 vjeç, me gjermanët! Kjo tezë është shumë cinike, këtij soj ambasadori, që ka këputur shumë broçkulla të tilla, e që pavarësisht se është ambasador i një vendi fqinj e kishte për detyrë të mos helmonte, por të punonte për forcimin e miqësisë midis dy vendeve, e që jam i bindur që nuk përfaqëson mendimin e përparuar të popullit mik grek, më duhet t’i them... Zotëri! Ka ikur koha që mbi shqiptarët e Çamërisë të vazhdojë gjenocidi e masakrat e filluara në 1913 e përfunduar në 1944, ka ikur koha e territ dhe denigrimit të 50 vjetëve të komunizmit, ku popullsia shqiptare e Çamërisë denigrohej, ku ky regjim i shpalli deri në qytetarë të dorës së dytë dhe ata që i vranë, i prenë dhe i përzunë, për të justifikuar krimet e tyre i quajtën bashkëpunëtorë të gjermanit...
Zoti dhe historia janë gjykatësit më të mirë, e ne, pasardhësit e atyre mijërave, që u vranë, masakruan e u dëbuan, ja u lëmë në dorë atyre .....  
A mund të bashkëpunonte një popullsi prej 30 mijë banorësh kur burrat e saj rreth 5000 u internuan nga autoritetet greke nëpër ishujt e vdekjes, ku shumë u shfarosën? Ka plot autorë grekë dhe të huaj, janë diplomatët amerikanë si ambasadori Mkweagh i viteve të luftës, që thonë se çamët nuk i shërbyen Italisë pushtuese, duke e zhgënjyer atë. Ka plot prova të luftës së partizanëve çamë në njësitë partizane mikse, siç del dhe nga shtypi i kohës ka shumë dëshmorë të rënë për liri.. Madje më vjen keq se arsyetime të tilla i përcjell dhe ndonjë përfaqësues i organizatave politike të grekëve të minoritetit. Këta përfaqësues, që jetojnë mes nesh, pra, mes popullit shqiptar, që asnjëherë nuk kanë provuar diskrimin të ngjashëm si të çamëve, nuk kapërcejnë me pozicionin e tyre, as grekët e arsyeshëm, as të huajt e paanshëm, por kanë qëndrime të pjesës më ekstremiste të politikës greke. Vërtet tragjike!
Po atëherë pse u përzunë çamët?
Unë kam një qasje të re të mbështetur mbi argumente të dhëna nga studiues të paanshëm. Amerikanë, anglezë, madje dhe vetë grekë. Po i kthej përgjigje pyetjes kryesore. Pse në fund te Luftës së Dytë Botërore, njësitë nacionaliste të Zervës, një ish-bashkëpunëtor i gjermanëve, i detyruar të jepte dorëheqjen pas luftës si ministër nën presionin amerikan, menduan të shfarosnin të gjithë popullsinë shqiptare myslimane të Thesprotisë së sotme? Pse ata që menduan se fituan luftën, e konsideruan normale që të shfarosnin, të përzinin nga toka e të parëve të tyre, rreth 30 mijë bashkatdhetarë tanët që popullonin viset e Çamërisë? Të kishin si plaçkë lufte qindra mijë hektarët tokë të tyre, miliona rrënjë ullinj, depozitat e tyre bankare, gjithçka. Për ta bërë këtë nuk u ndalën para masakrave të tmerrshme. Donin madje të shtyheshin dhe më: Të merrnin gjysmën e Shqipërisë, sepse ishte Vorio Epir.
Mbi 2500 vetë jo thjesht të rinj, por kryesisht pleq dhe fëmijë dhe gra u vranë, qindra gra të tjera u përdhunuan në kampet famëkeqe greke në kufi me Shqipërinë, dhe pjesa që mbeti u përzu në disa valë drejt Shqipërisë, që posa kishte dalë e rrënuar nga lufta. Po aq vdiqën rrugës dhe midis 20 deri në 30 mijë mbërritën të dërrmuar në Shqipërinë e varfër. Këto janë të dhëna të misionit anglez në ndihmë të njësive greke të Zervës, që nuk arritën të ndalonin masakrën. Madje, e inkurajuan për qëllime strategjike. Drejtues të këtij misioni, në vitet e fundit të jetës kanë pranuar masakrat e kryera egërsisht në kurriz të shqiptarëve myslimanë të Greqisë në librat e tyre me kujtime. Por dhe indiferencën e tyre.
Të dhënat e këtyre librave mbështeten dhe nga shefi i misionit amerikan në vitet e para pas Çlirimit në Shqipëri, Xhakobs, i cili vizitoi kampet e mbushura me çamë në kufirin e Shqipërisë. “Autoritetet greke kanë shumë t’i shpjegojnë botës për përzënien e mbi 20 mijë çamëve nga tokat e  tyre, kryesisht pleq dhe fëmijë”, tha ai. Në të njëjtën linjë me të ishte dhe ndihmës-atasheu ushtarak amerikan Uilliam Mek Nill në vitet ‘45-‘46. Këto përfundime vërtetohen nga misionet vëzhguese të OKB-së të kohës në zonat kufitare të dy vendeve Shqipëri dhe Greqi, nga deputetë anglezë si Haçinson, vëzhgues britanikë, etj. Nuk pranohen vetëm nga disa politikanë shqiptarë me kombësi greke që e shohin historinë e përbashkët me syzet e ekstremizmit grek. Të dhënat e mësipërme vërtetohen gjithashtu, nga diplomatë seriozë si ish-numri dy i ambasadës amerikane në Athinë Xhon Bradley Kisling, që thotë se: “Grabitja dhe vrasja e çamëve u kthyen në instrumente të pastrimit etnik dhe të hakmarrjes personale mbi ta”. Nuk po shpik ndonjë gjë: shikoni agjencinë “Athens News” të 2 dhjetorit 2005. Dhe do të gjeni artikullin që po citoj.
Për këtë flasin dhe vetë grekët. Lexoni autorët si Elefteria Manda, Jorgos Margaritis që krahason dëbimin e çamëve me atë të hebrenjve nga Greqia, duke i konsideruar dy komunitetet si “bashkëkombësit e padëshiruar” që citohen në librin e Mentor Nazarkos “Lufta e fundit”. Megjithëse ai përzien gabimisht mendoj çështjen çame me atë të pronave shqiptare në Greqi. Nuk kanë lidhje: Populli çam ka vuajtur gjenocid të vërtetë. Po vijoj: Pyesni për një aktivitet universitar në Athinë, që ju kushtua çështjes çame me sens realist pikërisht më 16 shkurt, një ditë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Çamët duheshin spastruar nga veriu i Greqisë, sepse ishin pronarët më të pasur të saj. Ky ishte objektiv që në vitin 1844, vijoi më tej në 1913, në 1923, etj.
Megjithatë kjo çështje i takon historisë tashmë...
Po, dikush mund të thotë: Pse ne sot duhet të merremi me diçka me karakter historik? Pse ne duhet të helmojmë klimën miqësore të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë?
Komshinjtë kanë të drejtë t’i marrin borxhe njëri-tjetrit, ata mund të kenë dhe histori konflikti me njëri-tjetrin, por sot duhet të jenë në paqe. Dhe duhet t’i shlyejnë borxhet e historisë nëse nuk i falin me marrëveshje. Shqipëria e sotme nuk është Shqipëria e dalë nga konflikti civil i 1997, por një vend që pritet të marrë ftesën për NATO. Pretendimet për gjoja helmim të marrëdhënieve nëpërmjet ngritjes së kësaj çështjeje i kanë të gjithë ata që duan të na kompleksojnë. Të gjithë ata që ngrenë gjoja shqetësimin se Greqia do të reagojë, duke përzënë emigrantët që mbajnë në këmbë ekonominë shqiptare. Unë nuk e besoj këtë përrallë, ka kaluar koha e përzënieve masive. Greqia e sotme nuk është Greqia e djeshme, por dhe ekonomitë tona janë aq shumë të ndërvarura nga njëra-tjetra, sa një veprim i tillë as që mund të mendohet.
Eshtë e qartë se kjo traumë e historisë është ende e gjallë sot jo vetëm në komunitetin e rreth 300 mijë shqiptarëve të Çamërisë, por dhe tek i gjithë kombi shqiptar... Shqiptarët e Çamërisë dinjitetin dhe amanetin e të parëve të tyre e kanë më të fortë se vitet sado qofshin ato.
Ne çamët e Shqipërisë besojmë më fort se kushdo tek vlerat që qëndrojnë në etalonet e demokracive perëndimore, tek të Drejtat e Njeriut, pjesë e së cilës janë dhe e drejta e lëvizjes së lirë në tokat dhe varret e të pareve dhe tek e drejta e patjetërsueshme e pronës.  
Dhe si duhet vepruar sipas jush? Sapo përkujtuat 27 qershorin dhe partia që përfaqëson komunitetin tuaj ka organizuar një marshim të ri në Qafë-Botë?
Eshtë i treti vit rresht që PDI dhe shoqata “Çamëria”, organizojnë disa aktivitete në homazh e përkujtim të kësaj date...
U bënë homazhe në varrezat masive të Kllogjeshit ku dergjen mbi 2500 qënie njerëzore pleq, gra, fëmijë, e ku dhimbja është shumë e madhe. Kjo varrezë është dëshmi e gjallë okulare e këtij gjenocidi të pashembullt e spastrimit etnik. Në fakt jam shumë i prekur nga prania e mijëra vetëve e sidomos e qindra nënave baballarëve, gjyshërve dhe gjysheve tona që në 1:00 të drekës nën atë diell përvëlues të 35 gradëve, me lot në sy e dhimbje në zemër na tregonin neve më të rinjve se si dikush kishte lënë motrën e vogël, vëllanë apo babanë në atë tokë djerrë e të shkretë nga dhimbja....Pastaj u drejtuam nga Qafë-Botë porta nga ku hynë të parët tanë... Këtu pashë në sytë e tyre mall shumë mall, hidhnin sytë me ndrojtje tutje nga Çamëria, se këmbët ua pengonte një tra i vockël. E ky tra primitiv, që ngjante me doganat e vendeve afrikane në fund të globit dhe njerëzimit e jo sikur ishte në Evropë e për ironi në zemër të qytetërimit botëror....Na paska qenë shume i rëndë madje më i madh edhe se vetë muri i Berlinit?! Ky tra simbol i absurdit e primitivizmit në zemër të Evropës duhet hequr, që njerëzit të lëvizin lirisht në të dy anët e kufirit. Por, ne duhet jo thjesht të flasim, apo të organizojmë përkujtimore, por dhe të veprojmë, brenda normave të së drejtës ndërkombëtare dhe rregullave të fqinjësisë së mirë. Ato kanë vlerën e tyre: Në Qafë-Botë ka një varrezë masive dhe qeveria shqiptare po mendon të lejojë hapjen e varrezave të ushtarëve grekë në kohën kur nuk ka bërë asgjë për nderimin e viktimave të pafajshme, kryesisht gra, pleq dhe fëmijë.
Ne duhet të flasim e duhet ta bëjmë këtë që tani, duke e konsideruar si një çështje të shtruar për zgjidhje. Unë nuk po flas për rivendikime territoriale. Unë po flas për drejtësinë që autoritetet e vendit fqinj dhe mik duhet të japin në favor të ish-shtetasve të tyre me kombësi shqiptare.
Atyre që kërkojnë që ne të harrojmë, më duhet t’i them: Jo! Nuk është thjesht amaneti i atyre që u vranë barbarisht, i atyre që vdiqën në Shqipëri pa parë dhe njëherë të vetme vatrën stërgjyshore.
Si duhet ta shohim problemin në pikëpamje juridike? Ju pretendoni se mbi çamët u krye gjenocid?
Nuk është çështje sentimentale, por çështje drejtësie. Siç mund ta dinë ata që kanë minimum kulture juridike, krimi i gjenocidit është i paparashkrueshëm. Dhe ajo që ndodhi mbi pjesën myslimane të popullsisë çame të Greqisë i kishte dhe i ka të gjithë elementët e gjenocidit sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit të vitit 1948. A nuk është e qartë se mbi çamët u krye gjenocid? Shikoni gjendjet civile greke, në zonat e Çamërisë, ata që e deklarojnë veten shqiptarë, janë me gishta. Sepse të gjithë u vranë, u përzunë, iu grabitën pronat. Unë nuk propozoj të procedojmë Greqinë për gjenocid në Hagë. Por ne kemi të drejtë të kërkojmë ndjesën e Greqisë për këtë vepër gjenocidale dhe pastrimi etnik.
Ne nuk mund të dëgjojmë prej atij që na mori pronat, këshilla për t’iu drejtuar gjyqit ndërkombëtar. E kam fjalën për deklarimin e zonjës së nderuar Bakojanis që deklaroi se çamët duhet t’i drejtohen Strasburgut. Për hir të së vërtetës ky deklarim është një hap përpara formal i qeverisë greke që deri disa muaj më parë deklaronte se kjo çështje nuk ekziston. Por Zonja e nderuar duhej të paktën të ishte në të njëjtat pozita me babanë dhe gjyshin e saj zotërinjtë Micotaqis, i pari në vitet 1930 e i dyti në vitin 1991. Ku i pari në letërkëmbimet me Mbretin Zog, në përgjigje të protestave të shtetit shqiptar angazhohej për ndërprerjen e përndjekjes dhe persekutimeve ndaj popullsisë çame dhe përhapjen e shkollave shqipe për minoritetin çam në Greqi dhe i dyti që ishte gati të negocionte me qeverinë shqiptare për zgjidhjen e çështjes çame në vitin 1991.
Dhe si duhet arritur kjo kërkesë juridike?
Nuk është kohë heshtjeje, por veprimi diplomatik. Ne nuk i kemi borxhe Greqisë, madje jemi treguar shumë zemërgjerë. Kemi hapur tregjet tona për kompanitë e tyre; në krye të kishës sonë ortodokse kemi një shtetas grek, që duhet të punojë shumë për t’u bërë shtetas shqiptar. Jetojmë në vëllazëri me minoritetin grek këtu. Por ne duam drejtësi, qoftë dhe të pjesshme për vëllezërit tanë, baballarët e vrarë egërsisht në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›