Banka, gati ulja e normës së interesit
Fabiola Çela
Banka e Shqipërisë është gati të ulë normën bazë të interesit për lekun. Burime pranë Bankës së Shqipërisë shprehen se një vendim i tillë pritet të merret pas përfundimit të sezonit veror. Vendimi pritet të sjellë uljen e kostos se kredive, si dhe uljen e përfitimeve nga depozitat.
Vendimi
Aktualisht norma e interesit repo është 5.75 për qind. Në janar të këtij viti, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që të ulë normën bazë të interesit. Deri përpara këtij vendimi, norma bazë e interesit ishte 6.25 për qind. Kjo normë u vendos në nëntor të viti 2007 dhe u ndryshua në janar të këtij viti. Pas presionit të bankave të nivelit të dytë, BSH-së vendosi që të ulë normën bazë të interesit. Por edhe pas këtij vendimi të Bankës së Shqipërisë, shumë bankierë të bankave të nivelit të dytë, por edhe vetë biznesi, i kanë kërkuar sërish bankës qendrore që të ulë normën bazë të interesit për monedhën vendase. Sipas bankierëve, një ulje e tillë e normës së interesit duhet të ndërmerret, pasi presionet inflacionistë janë ulur, madje në disa muaj ka qenë edhe nën cakun e vendosur nga Banka e Shqipërisë, duke dhënë kështu një sinjal të qartë se, tregu ka nevojë për më shumë para. Aktualisht çmimi i lekut ose siç shprehet ndryshe në gjuhën e financave, interesi bazë, është 5.75 për qind pas një ulje me 0.5 pikë, që u bë gjatë muajit janar të këtij viti. Por duke qenë se niveli i inflacionit ka prirje rënëse, nevojitet një ulje tjetër e normës së interesit të lekut. Nga ana tjetër, normat bazë të interesit të euros dhe dollarit janë në minimumet e tyre historike, ndaj bankat kërkojnë një ulje tjetër të çmimit të lekut, për të nxitur rritjen e qarkullimit të monedhës vendase.
Efektet
Ulja e çmimit të lekut krijon më shumë frymëmarrje për aktivitetin ekonomik të vendit. Vendimi i Bankës së Shqipërisë për të ulur normën bazë të interesit për lekun pritet që të sjellë edhe uljen e kostos së kredive. Vetëm pak ditë më parë, në një deklaratë për mediat, kreu i Dhomës së Tregtisë, Gjok Uldedaj, për herë të parë i kërkoi Bankës së Shqipërisë që të ulë norman bazë të interesit për lekun. “Banka e Shqipërisë të konsiderojë mundësinë e uljes së normës së interesit, duke e bërë më të lehtë kështu përballimin e kredisë nga biznesi, pasi tashmë presionet inflacioniste janë më të pakta”, u shpreh ai. Një kërkesë e tillë nga biznesi bëhet në kushtet kur bankat kanë tkurrur disi dhënien e kredive. Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se është ulur ritmi i rritjes së kredive.