Westin mbyll mandatin e FMN në Tiranë: Duhet pakt tjetër
Kreu i qeverisë Berisha ka pritur dje përfaqësuesen e FMN-së në Shqipëri, Ann Margaret Westin, me rastin e largimit të saj pas përfundimit të këtij misioni në Shqipëri. Gjatë këtij takimi përfaqësuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri është shprehur se FMN-ë është e hapur për bashkëpunim të mëtejshëm me qeverinë shqiptare. Sipas një deklarate për media, kreu i qeverisë e siguroi Westin se në këtë fazë të dytë të bashkëpunimit me FMN-në, sipas Artikullit 4, qeveria shqiptare është përsëri shumë e hapur dhe bashkëpunuese me këtë institucion për të çuar përpara reformat e nisura, si dhe shumë të tjera. Nga ana e saj, përfaqësuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë e falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e dhënë dhe për bashkëpunimin dypalësh shumë të frytshëm me qeverinë shqiptare. Suksesi i këtij bashkëpunimi, - sipas Ann- Margret Westin, - është shprehur tashmë edhe në rezultatet e arritura nga qeveria nën drejtimin e Kryeministrit Berisha në reformat fiskale, në stabilitetin financiar e makro-ekonomik të vendit dhe suksesin e performancës ekonomike të Shqipërisë në këtë kohë krize. Në fakt ekspertë të ndryshëm të ekonomisë i kanë rekomanduar qeverisë shqiptare që të nënshkruajë edhe një pakt tjetër me FMN-ë, por nga ana e qeverisë nuk ka pasur asnjë sinjal pozitiv. Sipas një raporti më të fundit të Bankës së Shqipërisë, rritja ekonomike për këtë vit do të jetë 0.4 për qind. Konkretisht sipas raportit më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, të quajtur “Parashikimi mbi ecurinë e ekonomisë globale”, në vitin 2009 ekonomia shqiptare do të rritet me vetëm 0.4 për qind. Sipas analizës së FMN-së, rimëkëmbja e cila do të fillojë që nga viti 2010, duket se do të jetë e ngadaltë, madje në rastin e Shqipërisë edhe më e ngadaltë se mesatarja e ekonomisë botërore. Sipas raportit, vitin e ardhshëm ekonomia shqiptare do të rritet me vetëm 2 për qind, ose 0.5 pikë përqindje më pak se norma mesatare e rritjes për ekonominë botërore. Ekspertët e FMN-së kanë vlerësuar se ekonomia shqiptare do t’i rikthehet ritmeve të larta të rritjes vetëm pas 5 viteve, më saktësisht në vitin 2014, kur rritja ekonomike pritet të arrijë sërish nivelit 6 për qind, që ka qenë mesatarja e viteve të fundit.