E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS e Lushnjës: Rama nuk bashkoi të majtën, të ikë nga kreu i partisë

 

Pas degës së Shkodrës dhe dega e Lushnjës kërkon largimin e kryetarit të PS-së, Edi Rama pas humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit. Kreu i degës së PS-së në Lushnjë, Leonard Gogu tha dje gjatë një konference për shtyp se Rama nuk e bashkoi të majtën dhe ai tani duhet të japë dorëheqjen. “Fakti që Edi Rama nuk arriti ta bashkonte të majtën dhe nuk arriti ta sillte të majtën në pushtet, tregon shumë dhe nuk është ndonjë vështirësi e madhe që ai të japë dorëheqjen dhe të largohet. Me dorëheqjen e tij ai do të tregojë vlera morale. Kryetari duhet të gjente mënyra për ta bashkuar të majtën”, theksoi kreu i selisë rozë në Lushnjë. Sipas tij: “Gabimi më i madh i Edi Ramës, është kalimi në vetëkënaqësi. Rama ngriti kultin e individit. Votat janë numëruar edhe nga komisionerët socialistë. Nuk duhet të ketë akuza për komisionerët tanë. PS ka shumë elementë të rinj si brenda kryesisë dhe asamblesë, por dhe jashtë këtyre forumeve”. Gogu theksoi gjithashtu se për anëtarësinë e PS-së nuk është i rëndësishëm fakti që kjo forcë është votuar më shumë në shkallë vendi, por fakti që PS mbeti sërish në opozitë. Në të njëjtën kohë kreu i kësaj partie në degën e Lushnjës i bëri thirrje Ramës që pas dorëheqjes të mos rikandidojë më. “Duhet të japë dorëheqjen dhe nuk duhet të tentojë të presë nga masa, nga anëtarësia të kërkohet rikandidimi i tij, sepse ai dha shembullin se nuk e bashkon dot të majtën. Me këtë frymë që ka Rama nuk besoj që të bashkojë të majtën për një vit e gjysmë deri në zgjedhjet vendore”, theksoi më tej Gogu. Por në Burrel, të paktën 100 anëtarë të PS-së kanë firmosur një letër, ku kërkojnë që Rama të mos japë dorëheqjen. Në letër socialistët e Burrelit thonë se “Edi Rama u përball në këto zgjedhje me “tre kuçedra”, ish-kryetarin e socialistëve, Fatos Nano, kryetarin aktual të PD-së Sali Berisha dhe liderin e LSI-së”, thuhet në letër. Duke theksuar se Rama është njeriu i duhur në krye të PS-së, të majtët e qytetit verilindor përmendin ngjarjet më të rënda të këtyre katër viteve, ku veçojnë vdekjet e shumta në minierat e kromit, ngjarjen e rëndë të Gërdecit, korrupsionin e familjes Berisha dhe lidhjet e saj me biznese të dyshimta, aferat e disa ministrave, dhunën mbi mediat, shitjen e ujërave territoriale, etj. “Edi Rama i dha Kuvendit të Shqipërisë 66 deputetë dhe mbase do të ketë edhe të tjerë. Është i vetmi politikan i të majtës, që lufton kundër një qeverisje kukull të vendit”, vijon letra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›