E Diel, 1 Nëntor 2026

Pëllumbi: Rama e Ruçi, përgjegjës për humbjen e PS-së në zgjedhje

 

Roland Qafoku

Servet Pëllumbi, profesori i socialistëve shprehet se kryetari socialist duhet të zbatojë statutin e PS-së, të cilin e vendosi vetë në kongresin e vitit 2007. Duke bërë një analizë të përgjegjësive politike të këtyre zgjedhjeve në një intervistë për “Ora News”, Pëllumbi shprehet se përveç kryetarit, përgjegjësi jo të vogël ka dhe kryetari i Asamblesë Kombëtare, por dhe e gjithë kryesia, e cila ka një vendimmarrje kolegjiale. Sipas tij, rol negativ në këto zgjedhje kanë luajtur dhe tezat e tilla si bashkimi përtej “të majtës dhe të djathtës”, por dhe mungesa e kujdesit ndaj aleatëve të majtë si dhe sjellja euforike dhe e personalizuar ndaj disa politikave.   
Në zgjedhjet e 28 qershorit koalicioni i PD-së ka dalë fitues ndërsa koalicioni i PS-së humbës. Sa u plotësuan standardet në këto zgjedhje dhe cili është mendimi juaj për fituesin e zgjedhjeve?
Elektorati i plotësoi të gjitha standardet e kërkuara për zgjedhjet, ndërsa politika nuk i plotësoi standardet e zgjedhjeve. Në këtë aspekt, të gjitha palët janë të humbura. Nëse vijmë pastaj konkretisht tek koncepti humbës dhe fitues edhe këtu ka disa shkallëzime, p.sh., kush merr më shumë vota, në raport me elektoratin është i fituar, por në raport me Kushtetutën, që partia që merr më shumë deputetë ftohet për të krijuar qeverinë, atëherë del që ai që bën qeverinë është fitues dhe ai që ka marrë më pak dhe mbetet në opozitë është humbësi. Në këtë kuptim me sa duket PS do të qëndrojë në opozitë edhe në të ardhmen.
Përse e thoni me sa duket dhe nuk e thoni që PS ka humbur zgjedhjet?
Unë do ta them këtë në mënyrë institucionale. Palët fituese dhe humbëse shpallen nga KQZ dhe Kolegji Zgjedhor.
Cilat janë arsyet që PS do të rrijë dhe katër vjet në opozitë?
Sigurisht arsyet janë të shumta dhe ato do të analizohen me hollësi në të ardhmen, por unë do të thosha se faktori kryesor i humbjes është se e majta nuk arriti të bashkohej. Kjo është një sëmundje e të majtës, jo vetëm shqiptare, por dhe në vendet e tjera megjithëse ka kapacitete intelektuale, ajo has vështirësi për t’u bashkuar.
Në krye të PS është Edi Rama dhe në rast humbjeje përgjegjësitë bien mbi kryetarin e saj. Madje ka qenë vetë Rama që e ka vendosur në statut këtë nen të tij. Cili është mendimi juaj për këtë çështje?
Jam në dijeni për këtë nen të statutit, sepse kam qenë kryetari i komisionit të ndryshimit të statutit dhe kam ndikuar për ta fiksuar këtë pikë në statut. U përcaktua që ndërprerja e mandatit të lidhej me fatin e zgjedhjeve politike. Në këtë kuptim, certifikimi i humbjes së zgjedhjeve automatikisht sjell dhe ndërprerjen e mandatit sipas statutit. Në këtë rast, kërkohet medoemos thirrja e kongresit dhe kongresi legalizon ndërprerjen e mandatit, mbi bazën e analizave, por çështja është e hapur se mund të kërkojë rikandidimin e kryetarit.
Do ishte normale që edhe pse ndërpritet mandati kryetari të rikandidojë?
Kjo do të bëhet mbi bazën e analizave që do të zhvillohen, për të parë dhe anën tjetër se sa ndikon shpërthimi i një lufte të brendshme në PS në krahasim me vazhdimin e atij projekti që ka nisur.
Zoti Pëllumbi, ku gaboi Edi Rama?
Edi Rama është kryetari i partisë më të madhe të majtë, por ai duhet të tregohej më elastik, më prudent dhe të arrinte bashkimin e të majtës. Të mos ishte aq euforik ndaj disa politikave të personalizuara nga ana e tij.
Cilat ishin gjërat më të mira që bëri Edi Rama që prej marrjes së drejtimit të PS-së?
Ai ka peshën më të madhe në PS. Në 2005 PS pësoi një traumë jo të vogël sepse humbi zgjedhjet, të cilat ajo i cilësonte të sigurta për t’i fituar. Edhe kryetari i atëhershëm, Fatos Nano e personalizoi fushatën dhe nënvleftësoi përçarjen e së majtës, madje ai nënvleftësoi dhe bashkëpunëtorët e tij duke thënë se do ti fitoj zgjedhjet i vetëm dhe të tjerët do t’i shkrij. Kështu që të dy kanë bërë të njëjtat gabime. Rama ka bërë disa ture në të gjithë vendin por dhe pse nuk paraqiti një program të shkruar në mënyrë të detajuar gjatë fushatës, ai preku pulsin e njerëzve dhe shqetësimet e tyre. Në këtë aspekt ai bëri një punë shumë të lavdërueshme.
Çfarë humbet dhe fiton PS pa Edi Ramën?
Unë mendoj se nuk fiton ndonjë gjë të madhe pa Edi Ramën, sepse po dëgjoj disa zëra të pakënaqurish që kanë bërë dhe punë në prapaskenë për humbjen e PS-së që të ndezin një luftë tjetër të brendshme në PS. Kjo do ishte shumë e dëmshme për PS.
Ju jeni që Edi Rama të vazhdojë në krye të PS? 
Unë do të kërkoja një analizë të thelluar të së gjithë veprimtarisë së Edi Ramës dhe pastaj në mënyrë institucionale kongresi të vendosë. Mandati të ndërpritet, sipas statutit, në mënyrë institucionale dhe në rast se do të rikandidojë Edi Rama bashkë me kandidatura të tjera, të zgjidhet në mënyrë demokratike se kush do të vazhdojë të drejtojë PS për katër vitet e ardhshme. Në këtë mënyrë i jepet fund luftërave të brendshme të panevojshme.
Ju keni kritikuar Edi Ramën në Asamblenë socialiste të zhvilluar në Vorë. Cilat kanë qenë kritikat tuaja ndaj Edi Ramës?
Unë i kam qartësuar kritikat e mia ndaj kryetarit në disa intervista. Realisht PS duhej motivuar dhe strukturat e saj duheshin riorganizuar dhe t’u thoshe në atë kohë “lërini flamujt, lërini simbolet”, “të shohim përtej të majtës dhe të djathtës” nuk ndihmonte partinë dhe elektoratin për zgjedhjet që po vinin. Për të fituar një pjesë të vogël të elektoratit gri apo nga partitë e tjera, duke demotivuar elektoratin tënd, kjo është e dëmshme dhe unë këtë kam kritikuar në atë kohë.
Si e shikoni ju moskandidimin e Edi Ramës për deputet?
Ata që kapen pas këtij fakti nuk është se ngrenë ndonjë diskutim me peshë. Për mendimin tim, në shumë aspekte kjo është dhe shumë pozitive, moskandidimi. Ai do të ishte deputet i sigurt dhe kjo s’do kishte ndonjë dyshim. Po ai llogariti se duke qenë deputet, ai s’do merrej dot me kryetar bashkie. Unë nuk i jap shumë rëndësi kësaj, përpara shkaqeve dhe gabimeve të tjera parimore të Edi Ramës, si p.sh., vlerësimi i mirë i historisë dhe të kaluarës së PS, sikur kjo parti nuk ka bërë asgjë në 18 vjet. Këto gjëra duhet të korrigjoheshin dhe duhen bërë një vlerësim më i mirë nga ana e zotit Rama. Gjithashtu dhe organizatat e partisë duhet të ishin në qendër të vëmendjes së zotit Rama dhe ai të mos rendte pas bordeve që anashkalonin organizatat e partisë.
Në PS janë përcaktuar dhe kanë dalë publikisht dy emra, Ben Blushi dhe Arben Malaj që kërkojnë largimin e Ramës dhe hapjen e një gare brenda saj. Si e shikoni daljen e këtyre figurave?
Unë këto dy figura i njoh dhe i vlerësoj për aftësitë dhe përkushtimin ndaj të majtës, por më duket një hap i nxituar nga ana e tyre, pasi ata duhet të kishin pritur certifikimin përfundimtar të zgjedhjeve. Pastaj në mënyrë institucionale do të gjendeshin dhe kandidaturat më të përshtatshme për drejtimin e PS-së, pa përjashtuar dhe kandidaturën e kryetarin aktual, që ka të drejtën e rikandidimit pas një votëbesimi në kongres. Nga ana tjetër unë do të thosha që synimi i PS dhe i anëtarësisë duhet të jetë që në krye të PS duhet të jetë ai person që nuk e kthen partinë prapa.
Ju keni shprehur kritika herë pas here ndaj kryetarit Rama ndërkohë që zoti Ruçi, Dokle, Islami etj që nuk kanë evidentuar këtë problematikë. E shihni si defekt ju këtë?
Unë e shoh vërtet si defekt. Jo vetëm kaq, por pas dy intervistave të korrikut të vitit të kaluar në gazetën “Panorama” një pjesë e këtyre emrave u rreshtuan duke u përgjigjur me intervista, pa përmendur emrin tim, duke më kritikuar me çështjet që unë ngrita, ku unë e cilësoja opozitën e asaj kohe si të trukuar. Këto qëndrime të tyre kanë ndikuar në përgatitjen e partisë për zgjedhjet.
I konsideroni dhe këto persona si përgjegjës për humbjen e PS-së në këto zgjedhje?
Padyshim. Edhe pse statuti specifikon përgjegjësinë e kryetarit, por përgjegjësi kanë dhe emrat si Gramoz Ruçi, anëtarë e kryesisë, pasi ky është një organ kolegjial. Ata duhet të shqetësoheshin nëse partia nuk funksiononte.
Ilir Meta ka deklaruar hapur bashkëqeverisjen me Sali Berishën. Si u ndjetë kur e dëgjuat për herë të parë këtë lajm?
Unë këtë e quaj paradoks të këtyre zgjedhjeve, sepse në demokraci është normale të krijohen koalicione majtas-djathtas, siç është koalicioni i madh. Nëse do të vihej në plan të parë stabiliteti i vendit, zgjidhja e krizës ekonomike etj., atëherë bëhet një koalicion i madh dhe këtu kam parasysh koalicion mes dy partive të mëdha, PS-PD. Nuk quhet koalicion i madh bashkimi me katër deputetë të LSI-së, bashkimi me katër deputetë është në rolin e një zjarrfikësi për një situatë të nderë, por nuk ishte e rastit që pa u certifikuar zgjedhjet të deklarohej bashkëpunimi.
Ju jeni dakord me deklaratat që Ilir Meta tradhtoi të majtën?
Po. Edhe në demokraci koncepti tradhti është plotësisht i kuptueshëm. Qeveria e re po krijohet në momentet më të rënda të krizës ekonomike që ka kaluar ndonjëherë vendi, është krizë globale dhe s’mund t’i besosh deklaratat që ne s’na ka prekur kriza.
Si e parashikoni qeverisjen Meta-Berisha?
Unë e shikoj shumë të vështirë këtë qeverisje. Problemet ekonomike do të jenë të papërballueshme, buxheti pothuajse është hallakatur këtë 6-mujor...
Por Ilir Meta ka qenë një nga kryeministrat më të suksesshëm..
Unë në atë kohë kam qenë një nga përkrahësit kryesorë të Ilir Metës dhe e kam quajtur një shtetar të formuar dhe i qëndroj kësaj, por makinacione politike si këto nuk i bëjnë nder as Ilir Metës dhe askujt. Këto lëvizje quhen makinacione dhe tradhti, sepse nëse t’i merr votën dhe u thua njerëzve që unë jam ai personi që do ta nxjerr në pension Berishën dhe bashkon votat me Berishën, kjo nuk mund të pranohet.
Pse të mos e konsiderojmë këtë si një pjekje të politikës shqiptare?
Jo kjo nuk mund të jetë pjekje e politikës, kjo “e lë bukën brumë të papjekur”. Ti si parti ke kërkuar votë për të nxjerrë në pension Sali Berishën, ndërsa ti e mbajte në pushtet vetë Sali Berishën. Prandaj kjo konsiderohet tradhti.
Si e cilësoni faktorin Nano në këto zgjedhje. Ai ka pasur një intervistë para zgjedhjeve, ndërsa tani mësohet se po lëviz në terrenin politik?
Në një nga intervistat e mia kam deklaruar se nuk do merresha më me çështjen Nano, në kuptimin që deri tani kam pasur arsye personale me Fatosin, madje fillimisht kemi bashkëpunuar shumë mirë me të. Madje, kritikat e mia për Fatosin nuk kanë qenë asnjëherë të karakterit personal, që të merreshim me njëri-tjetrin, por kanë qenë kritika të karakterit parimor. Nëse Nano në ‘96 bënte mocionin dhe PS ishte në vështirësi të mëdha pas zgjedhjeve të 26 majit, dhe humbet si kryetar dhe pse ishte në burg dhe ne e mbajtëm si të tillë, Nano dha mesazhe përçarëse, duke i quajtur zëvendësit e tij “guralecë” që duhet të largohen etj. Në këtë klimë në kongresin e gushtit 1996 unë dhashë dorëheqjen, por nuk u largova nga partia. Unë i kam bërë vërejtjet e mia për çështje parimore. P.sh., në ‘97 Nano shpalli programin e qeverisë një program të djathtë dhe bibël të PS-së. Unë e kritikova atëherë se programi qeverisës është katërvjeçar dhe pse ka elementë të djathtë, por ai s’mund të jetë programi i PS-së, e cila mbetet një parti e cilësuar e majtë. Unë kam kritikuar dhe tezat e Nanos për ta bërë PS parti biznesi; nëse ai përfshinte me listë 32 veta njëherësh në Konferencën Kombëtare të ‘97, ndër të cilët dhe Ben Blushi, i cili vinte nga PD-ja, por dhe të tjerë, unë e kam kritikuar pasi kam kërkuar që ata të mos vijnë me listë, por të miratohen përmes votës. Çështje të kësaj natyre kam pasur me Nanon. 
Si i parashikoni zhvillimet politike në PS gjatë katër viteve opozitë të saj?
Unë mendoj se në PS do të ketë një luftë të brendshme dhe lus të kjo kalojë pa trauma, sepse zakonisht disa zhvillime në PS janë shoqëruar me trauma, siç ishte shkëputja e LSI-së, apo e PSV 91, shkëputje të cilat sjellin dhe tkurrje të PS. Ka qejfmbetje në PS edhe për shkak të mos kandidimit të disa figurave. Unë nuk gjykoj nëse u bë mirë ose jo për mos kandidimin e tyre. Por zakonisht ndodh që të tjerë që nuk kanë atë formim, që duhet dhe nuk vlerësojnë se ç’të mira kanë pasur nga PS-ja, që kanë qenë ministra dhe deputetë disa herë, në situata të tilla nisin të riaktivizohen dhe dalin dhe thonë se unë e kisha parashikuar këtë gjë. Këtu unë përfshij edhe Nanon. Unë nuk e prisja që Nano të dilte në një televizion dhe gati të bënte thirrje mos votoni PS dhe Edi Ramën. Atëherë si mund të pretendojë ky lider historik që priste skutave humbjen e PS të marrë këtë parti dhe ta çojë në fitore?!! Në këtë aspekt unë them që PS të mos kalojë në trauma, por kërkoj që anëtarësia e PS të vlerësojë njerëzit e punës, të mos shohë prapa, por të shohë përpara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›