Pandolfi: Si e njoha Shqipërinë e viteve '70
Ajo ende i ka të freskëta vitet '70, kur kalonte pranë brigjeve shqiptare e kapiteni i anijes i këshillonte të mos shihte kah tyre. Edhe një vështrim përbënte rrezik. Kishte dëgjuar lloj-lloj legjendash metropolitane, për Shqipërinë e shqiptarët, ndërsa mes valëve me zhurmë dëgjonte Radio Tiranën. "Sovranitete të lëvizshme, kujtesa, konfliktet, dhuna në Ballkanin e erës globale", titullohet libri i shkruar nga antropologia dhe studiuesja italiane Mariella Pandolfi, botuar pak kohë më parë edhe në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese IDK. Pandolfi, e cila 40 vjet më parë e njihte Shqipërinë prej së largu, tanimë është një nga studiueset politikave të zaptuara në rajonin e Ballkanit e në veçanti në Shqipëri. Ky libër i përkthyer në gjuhën shqipe nga Virgjil Muçi, ka në qendër të tij retorikën humanitare, që është shfaqur dekadat e fundit me forcë në marrëdhëniet ndërkombëtare, të mishëruar disa herë me ndërhyrje ushtarake. Fokusi i saj bie në mënyrë të veçantë në efektin që kjo strategji ndërkombëtare e ndërhyrjes humanitare ka pasur në Ballkanin Perëndimor, duke u përqendruar sidomos në rastin e Shqipërisë dhe të Kosovës, për të cilat autorja mendon se i njeh mirë. Analizën e saj ajo e paraprin edhe nga kujtimet mbi Shqipërinë. Si e ka njohur ajo 40 vjet më parë.
Vitet '70-të
Komandanti i tragetit Korfuz-Brindisi dukej veçanërisht i shqetësuar sa herë që, me të kaluar kepin e Kanonit, anija u afrohej brigjeve shqiptare. Ishim në fillim të viteve '70-të dhe rreth treqind metra larg Butrintit, në Shqipëri, një nga vendet arkeologjike më të bukura e më të paprekshme të Mesdheut. Në Korfuz qarkullonin fjalë se Lordi Rothschild kishte instaluar në shtëpi një teleskop të madh për të vëzhguar rrënojat e mrekullueshme të teatrit dhe nuk reshtte së pohuari se një ditë, në një Shqipëri të "çliruar", do të krijonte një fondacion për restaurimin dhe ruajtjen e Butrintit. Sot ky fondacion ekziston dhe ndoshta legjenda metropolitane që qarkullonte verës në Korfuz, nën portikët venecianë të Esplanadës ishte e vërtetë.
Unë nuk i takoja brezit që kishte marrë pjesë në aventurën e shkurtër koloniale italiane, ndaj dija shumë pak për Shqipërinë dhe raportet e saj me Italinë, po diploma në mjekësi e tim eti më tërhiqte vëmendjen qysh nga fëmijëria, pasi në atë pergamenë baroke ishte shkruar se ishte pikërisht Vittorio Emanuele III, mbret i Italisë dhe i Shqipërisë, perandor i Etiopisë, ai që ia kishte dhënë.
I përkisja atij brezi që kishte kultivuar shumë qëndrime estetike mbi komunizmin dhe revolucionet e largëta. Libri i kuq i Maos, manifestet e Leninit dhe të Çe Guevaras, disqet me këngë të Rezistencës, ishin pjesë e orendive të vendeve ku gjenim strehë, disa prej nesh ende të mbyllur në shtëpinë e prindërve, të tjerët tashmë merrnin pjesë në jetën e komunave. Në këtë skenar shqetësimesh dhe revolte hynte edhe riti i të dëgjuarit të Radio Tiranës. Propaganda në gjuhë italiane transmetonte buletine dhe deklarata përmes cilave bënte thirrje për të dënuar komunizmat e tjerë e për t'iu bashkuar atij që nuk ishte përulur përpara asnjë logjike kompromisesh politike. Pa e kuptuar, një rrymë orientaliste kishte hyrë në kujtesën time, edhe përmes asaj përqasjeje jokritike të dëgjuari dhe, edhe pse në mënyrë të pandërgjegjshme, kisha mbivendosur ideologjinë e një komunizmi të pandotur me imagjinatën e një rajoni aq misterioz sa t'i shtynte udhëtarët dhe gazetarët e fillimit të shekullit XX të pohonin se evropianëve u dukeshin më pak të largëta Saharaja dhe Tibeti. Në këtë mënyrë, mozaiku i zbulimit të Shqipërisë si një terren studimi u ushqye nga fragmente të një gjeografie emotive, johomogjene në intensitet dhe me temporalitete të ndryshme, jehona të një përjetimi krejt subjektiv, i cili, edhe pse i përket konteksteve historiko-politike thellësisht të ndryshëm, nuk i bën bisht nevojës për t'u ripërshkuar e po kështu as nevojës për të gjetur, në mos lidhje eksplicite, të paktën shenjën e një vazhdimësie të eksperiencës. Trageti, duke u larguar nga Korfuzi, lundronte përgjatë bregut të Shqipërisë, ku një "antenë" e revolucionit kulturor kinez shfaqej e pamëshirshme kundrejt intelektualëve, të cilët, në mënyrë të moderuar, ishin të hapur ndaj kulturës Perëndimore, për shembull muzikës së "Beatles"-ve, duke futur në burg njerëz, internuar familjet larg kryeqytetit dhe duke i "detyruar" gratë e tyre të divorcoheshin nëse donin të vazhdonin të merrnin rrogë e të mos pësonin diskriminime të mëtejshme. Përveç kësaj, disa vjet më vonë, midis hakmarrjeve të brendshme që izolimi prirej të shumëfishonte me teoritë e komplotit, u vu në zbatim plani i ndërtimit të qindra, mijëra bunkerëve kundër armiqve imagjinarë, pa as edhe një logjikë ushtarake, po sipas paranojës së vjetër që rreziqet mund të vijnë nga të gjitha drejtimet.
Komandanti i tragetit këshillonte me altoparlant që të mos shikonim nga ato brigje "të rrezikshme", ta kthenim vështrimin diku tjetër, pasi topat ishin drejtuar për nga viset perëndimore. Më kujtohet ende shqetësimi i tij kur, mënjanë, na tregonte se si një francez ishte vrarë, pasi kishte hyrë padashur në ujërat territoriale shqiptare dhe se sa të rrezikshëm e konsideronte faktin që kishin ndërtuar një Club Mediterranée në Korfuz, kaq pranë atij vendi.
Gjatë atij udhëtimi, disa familje greke, duke ringjallur rivalitetet e lashta greko-shqiptare, tregonin se si në malet misterioze të asaj toke zotëronin ende normat e vjetra e të përgjakshme zakonore, ose se si gjatë pushtimit osman shqiptarët, në shkëmbim të favoreve personale, kishin pranuar pozicione me pushtet në rangjet e hierarkisë osmane. Ka pasur shumë Vezirë të Mëdhenj që kanë qenë në shërbim të osmanëve kundër popujve të tjerë të Ballkanit dhe kjo mbart një lloj mllefi kundër tyre në ndërtimin e imazhit të një toke që konsiderohet përgjegjëse për dhunën dhe frikën.
Kështu që, sipas një interpretimi të Ismail Kadaresë, izolimi shqiptar nuk kishte filluar dhe mbaruar me utopinë tiranike të Enver Hoxhës në 50 vitet e izolimit të regjimit të tij, po kishte rrënjë më të thella, të lidhura me pakënaqësinë e të gjithë popujve ballkanikë të nënshtruar nga Perandoria Osmane. Shqiptarët e egër, shqiptarët viktima, shqiptarët shërbëtorë të më të fortëve për më shumë se njëmijë vjet, që nga osmanët e deri te Shtetet e Bashkuara, të cilët kaluan gjatë 50 viteve të Enver Hoxhës një herë krah sovjetikëve kundër Titos e më vonë krah kinezëve kundër sovjetikëve. Shqiptarët që përballen prej më shumë se 1500 vjetësh me vijën e Teodosit që ndan Lindjen me Perëndimin, për të cilën shkruhet ende me gjurmë të reja frike. Ose shqiptarët e krenarisë dhe të fondamentalizmit ideologjik që shpaloset në pikturat e realizmit socialist, si ajo e famshmja që paraqet takimin dramatik të Konferencës së 81 Partive Komuniste në Moskë, ku u zyrtarizua ndarja famëkeqe, ku lideri rus mezi shquhet mes gjithë figurave të tjera, në sfond, ndërsa Enver Hoxha shfaqet imponues, megjithëse i izoluar. Identitete mitike të shpikura, të riaktivizuara ose të manipuluara nga ideologji të vjetra e bashkëkohore, nga ideologji të rritura brenda dhe jashtë territorit shqiptar, ushqenin konfigurime të ndryshme të orientalizmit.
Libri
Autori: Mariella Pandolfi
Titulli: "SOVRANITETETË LËVIZSHME"
Kujtesa, konfliktet, dhuna në Ballkanin e erës globale
Përktheu nga italishtja: Virgjil Muçi
Numri i faqeve: 161
Çmimi: 600 lekë
Botues: Botimet IDK
Autorja e librit, ekspertja e Ballkanit
Mariella Pandolfi prej 15 vjetësh jeton mes Kanadasë dhe Evropës, duke alternuar punën e saj universitare e kërkimore në Montréal, Itali e Francë, me punën për disa organizata ndërkombëtare dhe fondacione private si eksperte për procesin e demokratizimit në Ballkanin postkomunist. Ajo është profesoreshë e Antropologjisë pranë Universitetit të Montrealit, Kanada, ku drejton grupin e kërkimit mbi ndërhyrjet humanitare dhe ushtarake në zonat e konfliktit. E diplomuar për filozofi, Pandolfi kreu një trajnim klinik për psikanalizë dhe mori doktoraturën për antropologji në EHESS, Paris. Në vitin 2004 ajo mori çmimin "Woman of Distinction Award" nga Women's Foundation në Montreal për kontributin e saj të rëndësishëm në këtë fushë. Ndër librat e Mariella Pandolfit mund të veçojmë "Itinerari delle emozioni: corpo e identità feminile nel Sannio campano", Milano, 1991, "Perché il Corpo? Utopia, sofferenza, desiderio", Romë, 1996. "Anthropology of Humanitarian Intervention", Nju Jork, 2009.