Incident ajror në Iran
Një aeroplan iranian, më 157 udhëtarë dhe 13 anëtarë të ekuipazhit, ka bërë sot një aterrim të dhunshëm në verilindje të Iranit, me ç’rast janë lënduar 46 persona, ka njoftuar televizioni shtetëror.
Televizioni citoi zëdhënësin e aviacionit civil në Iran, Reza Jafarzadehun, i cili theksoi se askush nuk ka vdekur si pasojë e këtij aksidenti. Ai nuk dha ndonjë shpjegim në lidhje me shkaqet e aksidentit.
Aeroplani i kompanisë Taban Air u kaplua nga zjarri gjatë aterrimit në aeroportin e Mashadit. Të lënduarit u dërguan për trajtim të mëtutjeshëm në spitalin e Mashadit.
Jafarzadeh theksoi se aeroplani i tipit Tupolev ka filluar fluturimin nga aeroporti i Abadanit, në jugperëndim të Iranit, por u detyrua që të shtunën në mbrëmje të aterrojë në Isfahan, për shkak të motit të ligë, e jo në Mashad, destinacionin e vet.
“Aeroplani më pas sot në mëngjes ka filluar fluturimin nga Isfahani. Përkundër motit të ligë dhe dukshmërisë tejet të ulët, piloti bëri një aterrim të dhunshëm, për shkak se një udhëtarë ishte sëmurë. Por incidenti ndodhi gjatë aterrimit”, tha Jafarzadeh.
Ai më tutje tha se aeroplani ka pësuar dëme serioze. Irani gjatë viteve të kaluara ka përjetuar disa incidente ajrore, për shkak të problemeve me të cilat po përballen kompanitë ajrore në mirëmbajtjen e aeroplanëve.