PS: Centrali Bërthamor i Berishës, shaka për të shmangur kutitë
TIRANE-Pak ditë pas miratimit të vendimit të qeverisë për ngritjen e agjencië kombëtare bërthamore në vend, PS ka reaguar sot duke akuzuar se ky vendim vlen vetëm për të anashkaluar vemendjen në situatën politike. Sipas PS pavarësisht mosdashjes së qeverisë, cështja e kutive mund të zgjidhet me referendum popullor. Deputeti Sajmir Tahiri deklaroi në një konferencë për shtyp se “Qytetarët shqiptarë e dinë mirë se lajmet blic e sensacionale, siç është edhe ky i centralit bërthamor, janë prodhim i qeverisë për të krijuar një tymnajë marramendëse sa herë që Berishës i duhet të zhvendosë debatin publik nga kriza e demokracisë dhe shtetit ligjor, kriza politike, ekonomike dhe sociale, pra nga krizat e shumëfishta që kanë zënë në kllapi vendin”. Sipas Tahirit kjo ëndërr e Berishës nuk ka gjasa të realizohet pasi qeveria nuk ka fuqi të furnizojë shqiptarët 24 orë me energji elektrike dhe stadiumin kombëtar. “Deklaratat entuziaste të Sali Berishës se do e kthejë Shqipërinë në një superfuqi ballkanike për eksportin e energjisë, janë qesharake po të mendosh se po kjo qeveri është e paaftë për të furnizuar qytetarët e vendit të vet 24 orë pa ndërprerje me energji elektrike, e jo më të sjellësh ne mëndje si kthehet në gazin e botës me paaftësinë për të mbajtur edhe stadiumin e vetëm ndërkombëtar me energji elektrike sa për një ndeshje futbolli”. Duke kujtuar një sërë situatash kritike në vend si tragjedia e Gërdecit, përmbytjet në Shkodër, shembjen e Tunelit të Thirrës , Tahiri krahasoi kryeministrin si Sali Ahmadinexhat dhe theksoi se “ai përbën rrezik po të ndezë dhe një shkrepse, jo më një central bërthamor” Tahiri ftoi qeverinë që në vend të shakave të frikshme, të zgjidhe cështjne e hapjes së kutive. Në të kundërt, paralajmëron Tahiri, kjo do të zgjidhet me referendum popullor. “Partia Socialiste i bën thirrje Kryeministrit që ti lërë shakatë e frikshme e të bëhet serioz, e përpara se të mendojë seriozisht për një sipërmarrje të tillë... fillimisht ti japë zgjidhje të menjëhershme krizës politike dhe institucionale duke hapur kutitë për transparencë të plotë të zgjedhjeve të 28 Qershorit, e më pas të vijojë me një konsultim publik, të plotë dhe serioz, konsultim që nuk duhet të bëhet tani, por në kohën e duhur. Në të kundërt, do e bëjmë ne dhe shumica dërrmuese e shqiptarëve me referendum popullor”. (d.b/BalkanWeb)