Putin: Kryengritësit në Kaukaz janë mposhtur
Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, theksoi se kryengritësit në rajonin e Kaukazit Verior janë mposhtur dhe theksoi se lufta tani është duke u zhvilluar kundër korrupsionit dhe varfërisë.
“Shteti duhet të dëshmojë se është i aftë të garantojë siguri dhe duhet të arrijë një depërtim në zhvillimin ekonomik dhe social të Kaukazit Verior”, tha Putin.
“Korrupsioni, varfëria, papunësia, neglizhenca, janë këto gjërat që po pengojnë jetën normale në Kaukaz”, shtoi ai.
Ish-presidenti i Rusisë dhe aktori kryesor në luftën e dytë në Çeçeni akuzoi autoritetet rajonale, të cilat sipas tij po distancohen nga problemet lokale, po e nxisin korrupsionin dhe jo-kompetencën, po krijojnë barriera administrative dhe po angazhohen në grindjet mes klaneve.
Putin gjithashtu tërhoqi vërejtjen se zyrtarët lokalë mund të shkarkohen, nëse administratori i ri për Kaukazin Verior është i mendimit se ata janë joefektiv.
Të martën, presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev, emëroi Alexander Kholopinin për administrator të ri në Kaukazin Verior, funksion ky i cili shoqërohet edhe me funksionin e zëvendëskryeministrit.
Në qarkun e ri federativ përfshihen Çeçenia, Dagestani, Ingushetia, si dhe rajonet fqinje Kabardino Balkaria, Cherkessia, Osetia e Veriut dhe Stavropoli.