Incident brenda Gjykatës, pas sherrit mes dy grave
TIRANE - Një incident ndodhi në ambientet e Dhomës Penale të Gjykatës së Shkallës së Partë të Tiranës. Në korridoret e këtij institucioni dy gra janë konfliktuar me njëra-tjetrën, për shkaqe që nuk janë bërë ende të ditura nga policia e kryeqytetit. Por incidenti nuk ka mbetur vetëm në kuadrin e sharjeve dhe kërcënimeve, pasi situata është tensionuar dhe kanë nisur goditjet me sende të forta. Burime nga policia pohuan se protagoniste të kësaj ngjarje kanë qenë 51-vjeçarja Suzana Lika dhe 56-vjeçarja Kumrie Duli. Incidenti ka ndodhur rreth orës 12:00 të dy ditëve më parë, kur dy gratë janë gjendur përballë njëra-tjetrës në korridoret e gjykatës dhe aty ka nisur debati mes tyre. Pasi kanë shkëmbyer fyerje dhe kërcënime, Lika nuk ka nguruar që të kapë disa objekte të forta që i ndodheshin me vetë dhe e ka goditur disa herë 56-vjeçaren Duli, duke e plagosur lehtë. Kanë qenë punonjësit e policisë së Gjykatës së Tiranës, ata që kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën dhe më pas kanë lajmëruar efektivat e Komisariatit Nr.3 të policisë. Të dyja gratë janë shoqëruar për të dhënë shpjegime në polici, por deri tani ende nuk janë sqaruar rrethanat e incidentit, duke u konsideruar si motive banale. Në përfundim të marrjes së deklarimeve të të dyja palëve, është vendosur që 51-vjeçarja Suzana Lika të procedohet penalisht në gjendje të lirë, me akuzën e plagosjes së lehtë me dashje. Ndërkohë gruaja tjetër, Kumrie Duli është lënë e lirë, pasi ka rezultuar të jetë e pafajshme nga e gjithë kjo histori. Policia ka nisur hetimet për të sqaruar incidentin që ka ndodhur në ambientet e brendshme të gjykatës, ku kanë dhënë deklarime edhe punonjësit e policisë, të cilët kanë ndërhyrë në momentin e konfliktit, si dhe disa persona të tjerë që kanë qenë të pranishëm nëpër korridore në momentin e ngjarjes. e.d