Maskat grabisin gjatë natës lokalin e lojërave të fatit
Etleva Delia
Dy persona të maskuar dhe të armatosur grabitën dje në orët e para të mëngjesit lokalin e lojërave të fatit “Apex”, në Bulevardin “Zogu i Parë”, në Tiranë. Grabitësit e maskuar, që besohet se janë në moshë të re, hynë në lokal duke kërcënuar arkëtarin, Altin Shima dhe më pas njëri prej tyre është drejtuar tek arka. Nën kërcënimin e armës, ai kërkoi paratë. Për të trembur punonjësit dhe lojtarët që ndodheshin aty, njëri nga grabitësit i ka thënë se do të qëllonte nëse nuk i fuste në çantë të gjithë shumën që ndodhej aty. Grabitësi tjetër ka qëndruar te dera, duke mbajtur nën vëzhgim situatën nga jashtë, për të parë nëse do të kalonte ndonjë patrullë policie. Pasi kanë marrë të gjitha paratë që ndodheshin në kasë, që sipas deklarimeve të pronarit të lokalit, ishin 400 mijë lekëve të vjetra, dy autorët janë larguar me shpejtësi nëpër rrugicat anash Bulevardit “Zogu i Parë”. Policia tha se në këtë zonë grabitësit janë pritur nga një makinë, e cila është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Dëshmitarët treguan se grabitësit dolën nga lokali të maskuar dhe me pistoleta në duar dhe më pas u larguan me vrap.
GRABITJA
Ngjarja ndodhi në orën 03:35, kur në lokalin e lojërave të fatit “Apex”, në pronësi të Dedë Prengës, që ndodhet në Bulevardin “Zogu i Parë”, në Tiranë, hynë dy persona të maskuar dhe të armatosur me pistoleta. Njëri prej grabitësve është drejtuar nga punonjësi i lokalit, Altin Shima, duke e kërcënuar me armë ka kërkuar që t’i fusnin në çantë të gjitha paratë që ndodheshin në kasë. Fatmirësisht shuma e parave nuk ishte e madhe, pasi disa orë më parë ishin dorëzuar te pronari të gjitha paratë që ishin grumbulluar gjatë ditës. Bashkëpunëtori i tij ka qëndruar te dera e jashtme, duke mbajtur nën vëzhgim rojën dhe punonjësit e tjerë, si dhe duke parë nga rruga në mënyrë që të përfundonin gjithçka para se të mbërrinte policia. Sipas punonjësve të lokalit, të cilët janë marrë në pyetje nga policia, Shima mësohet të ketë nxjerrë nga arka shumën prej 40 mijë lekësh të reja dhe i ka futur në një çantë që grabitësi mbante me vete. Më pas personat e maskuar dhe të armatosur, që dyshohet se janë rreth të 20-ve, kanë dalë nga lokali dhe janë larguar me shpejtësi nëpër rrugicat mes për mes pallateve.