E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: 2 vjet burg Jakës

 

Armand Bajrami

Prokuroria kërkoi dje nga Gjykata e Apelit në Tiranë rritjen e masës së dënimit të dhënë nga shkalla e parë ndaj 3 nga 7-ish zyrtarëve të Ministrisë së Transporteve dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, mes të cilëve edhe ish-zv.ministri Nikolin Jaka. Sipas përfaqësuesit të akuzës, vendimi i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë duhet të ndryshojë vetëm për të pandehurin Nikolin Caka, ish-zv.ministër i Transporteve, për Ilirjan Berzanin, ish-drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Bashkim Kamberi, ish-shefi i Sektorit Juridik dhe Prokurimeve. Për katër të pandehurit e tjerë, prokuroria kërkoi lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë. Pasi dëgjoi pretendimet e të dy palëve në proces, gjykata shtyu për në 1 korrik seancën ku do të jepet vendimi përfundimtar. Ish-zyrtarët e lartë dhe dy biznesmenët akuzohen nga prokuroria për abuzime, korrupsion, mitmarrje dhe shpërdorim detyre në lidhje me disa tenderë në vitin 2007 në Ministrinë e Transporteve. Aktualisht ata ndodhen të gjithë në gjendje të lirë.
SEANCA
Trupi gjykuese e Apelit, i kryesuar nga gjyqtari Lefter Jahaj, filloi dje shqyrtimin gjyqësor të ankimit të të pandehurve Nikolin Jaka, Bashkim Kamberi, Ilirjan Berzani, Xhevahir Mucogllava, Arian Shehi, ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Transporteve dhe Skënder Bakçiu dhe Isuf Ukperaj, biznesmenë. Sipas prokurorit, vendimi i dhënë nga shkalla e parë, duhet të ndryshonte për të pandehurit Jaka, Berzani dhe Kamberi. Pretendimet e prokurorit, bazoheshin në mospajtimin me ndryshimin e kualifikimit ligjor të veprave penale për këta të pandehur nga togat e zeza të shkallës së parë. Gjithashtu prokurori nuk pajtohej me vlerësimin që i ishte bërë nga Gjykata e Shkallës së Parë rrezikshmërisë shoqërore të të pandehurve, apo marrjen parasysh të disa rrethanave lehtësuese ndaj tyre në vendimin përfundimtar. Në përfundim prokurori kërkoi deklarimin fajtor për të pandehurin Nikolin Jaka, ish zv.ministër i Transporteve për veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe dënimin e tij përfundimisht me 2 vjet burg e 1 milion e 300 mijë lekë gjobë, nga 1 vit e 20 ditë burg dhe 800 mijë lekë gjobë që ishte dënuar në maj 2008. Për të pandehurin Ilirjan Berzanin, ish-drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, prokuroria kërkoi dënimin e tij me 3 vjet burg e 1 milion e 300 mijë lekë gjobë dhe për të pandehurin Bashkim Kamberi, ish-shefi i Sektorit Juridik dhe Prokurimeve u kërkuan 14 muaj burg e 250 mijë lekë gjobë. Masat e dënimit përfshinin edhe uljen për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Ndërsa për të pandehurit e tjerë u kërkua lënia në fuqi e vendimit të shkallës së parë. Avokatët mbrojtës të të pandehurve pretenduan pafajësi për klientët e tyre. Ata kërkuan nga gjykata prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe pushimin e çështjes penale në ngarkim të tyre. Të pandehurit e kësaj dosjeje u arrestuan nga operacioni policor “Duart e pastra” në shtator të vitit 2007.

Te pandehurit

Nikolin Jaka
Bashkim Kamberi
Arjan Sheti
Ilirjan Berzani 
Xhevahir Muçogllava  
Skënder Bokçiu
Isuf Ukperaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›