E Diel, 1 Nëntor 2026

Incident mes banorëve dhe zyrtarëve të Radio Televizionit të Mitrovicës

Mitrovicë, 26 Janar 19:01 NOA - Një incident ka ndodhur në ndërtesën shumëkatëshe në rrugën “Agim Hajrizi”, godinë kjo në të cilën është e vendosur RTV Mitrovica.

Policia vendore tha sot për korrespondentin e agjencisë së lajmeve NOA se ka marrë njoftimin përmes linjës emergjente, nga ankuesi, pjesëtar i policisë së Kosovës, banor i kësaj ndërtese, i cili ishte jashtë detyrës zyrtare dhe në rroba civile.

Denoncuesi ka njoftuar se ashensori i kësaj ndërtese ishte jashtë funksionit  për më tepër se pesë orë ndërsa personi përgjegjës për rregullimin e defektit në ashensor nuk kishte mundësi të bënte rregullimin e siguresave si rezultat i mbylljes së derës së dhomës ku gjenden siguresat nga ana e punëtorëve të RTV Mitrovica.

Zyrtarët policorë të stacionit jugor në Mitrovicë, të cilët i janë përgjigjur këtij rasti, thanë se së bashku me drejtorin e RTV Mitrovica, pas një kohe kanë bërë hapjen e derës së dhomës së siguresave ndërsa personi i autorizuar ka bërë riparimin e defektit të siguresave.

Mësohet se derisa banorët e ndërtesës dhe punëtorët e RTV Mitrovica, po diskutonin rreth problemit në fjalë, janë ngritur tensionet në mes tyre përmes akuzave të ndërsjella me ç’rast palët e përfshira në rast kanë filluar të ofendohen me fjalë dhe të shtyhen fizikisht në prezencën e zyrtarëve policor.

Policia tha se ka ndërhyrë duke shoqëruar në stacionin policor për deklaratë njërin nga punëtorët e RTV Mitrovica dhe dy nga banorët e ndërtesës.

Gjatë këtij incidenti, njëri nga banorët e ndërtesës besohet se kishte dëmtuar një thithëse elektrike të cilën e kishte hedhur për tokë, ndërsa punëtorët e RTV Mitrovica, deklarojnë se i njëjti kishte gjuajtur thithësen elektrike në drejtim të njërit nga personeli i tyre. 

Nuk është raportuar për lëndime trupore e as për dëme materiale të shkaktuara në lokalet e RTV Mitrovica.

Hetuesit kanë iniciuar procedurat hetimore në lidhshmëri me rastin ndërsa kanë njoftuar edhe prokurorin publik të prokurorisë komunale në Mitrovicë.

a.b/NOA

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›