E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amnistitë, kopertura e një qeverisjeje të dështuar



Nga Armando Meta

Amnisti fiskale, amnisti për dritat, amnisti për ndërtimet pa leje, amnisti për burgjet, amnisti për çdo gjë të paligjshme. Në vendin tonë fjala amnisti duket se prej shumë vitesh është kthyer në refren. Në vendet e qytetëruara fjala amnisti shpreh një shkallë të lartë të humanizmit shoqëror. Por kur amnistia përdoret pa kriter, atëherë ajo shndërrohet në një koperturë për të mbuluar dështimet e qeverisjes.
Prej shumë ditësh po lakohet ideja e një amnistie fiskale. Po kështu, vetë drejtuesit më të lartë të shtetit janë deklaruar edhe për faljen e kamatëvonesave për energjinë elektrike. Pavarësisht qëllimit të mirë që mund të ketë në dukje amnistia fiskale, apo edhe çdo amnisti tjetër, përpjekjet për ta përdorur amnistinë për shumë gjëra të paligjshme, tregon pafuqinë e shtetit në zbatimin e ligjit, si dhe largimin gjithnjë e më shumë të vendit nga vendosja e shtetit ligjor. Por kjo do ishte e keqja më e vogël. E keqja më e madhe qëndron në faktin se përdorimi pa kriter i amnistive po edukon gradualisht një mungesë të plotë të përgjegjësive të qytetarëve ndaj ligjit dhe zbatimit të tij. Nga njëra anë kemi një pjesë të madhe të qytetarëve, të cilët respektojnë ligjin dhe të gjitha detyrimet që kanë ndaj shtetit, ndërsa nga ana tjetër kemi një kategori qytetarësh, të cilët jo vetëm që nuk respektojnë ligjin, por më së shumti dalin edhe të fituar financiarisht. Ligji i legalizimeve nuk është asgjë tjetër veçse një amnisti për ndërtimet pa leje të ndërtuara në të katër anët e vendit, si pasojë e dështimit të shtetit. Por, ndërsa një kategori qytetarësh kanë përfituar, mjaft të tjerë kanë humbur, duke filluar që nga ish-pronarët e deri te qytetarët e tjerë, të cilët qeveria nuk ngurron që nëpërmjet taksave t’u fusë duart nëpër xhepa për t’u marrë para, me qëllim për t’i përdorur si fond për kompensimin e ish-pronarëve. Legalizimi është një proces i drejtë për sa kohë nuk shkel të drejtat e të tjerëve. Nga ana tjetër flitet për amnisti për kamatëvonesat për energjinë elektrike. Kamatëvonesa aplikohet ndaj atyre qytetarëve, të cilët nuk e kanë paguar në kohë energjinë elektrike. Por ndërsa nga njëra anë kjo masë mund të jetë pozitive për xhepat e qindra familjeve, nga ana tjetër masa të tilla dekurajojnë ato familje, të cilat rendin në kohë të paguajnë energjinë elektrike. Këto ditë po përflitet shumë edhe për amnisti fiskale. Ndonëse nuk është detajuar ende se çfarë parashikon kjo lloj amnistie, problemi bëhet i mprehtë po të kihet parasysh pabarazia që pjell kjo lloj amnistie. Natyrshëm që fitues nga amnistia fiskale dalin bizneset e mëdha. Prej shumë muajsh biznesi në përgjithësi është zhytur në një krizë të thellë ekonomike. Shumë biznese kanë falimentuar, mjaft prej tyre janë në prag të falimentimit, ndërsa një kategori biznesesh mbahen me “shpirt ndër dhëmbë”. Qeveria ka ngritur në këmbë një sistem taksash e tatimesh, i cili nuk e ndihmon biznesin, por e çon atë në buzë të greminës. Shumë biznese kanë falimentuar pasi nuk kanë mundur ta mbajnë mbi supe barrën e rëndë të taksave dhe tatimeve. Shumë të tjera, si pasojë e pagimit të detyrimeve fiskale, gjenden në agoni. Ndërsa një seri biznesesh, të cilat “s’e kanë vënë ujin në zjarr” për të paguar detyrimet fiskale, tani mund t’i gëzohen parajsës së amnistisë fiskale. Përballë kësaj situate qeveria, më shumë se për të rendur drejt amnistive fiskale, duhet të rishikojë politikat fiskale, të cilat e kanë çuar ekonominë në përgjithësi drejt stanjacionit, duke e bërë jetesën shumë të vështirë. Rishikimi i politikave fiskale do të çonte në ndihmë të biznesit në përgjithësi. Ndërsa amnistia fiskale thjesht do të favorizojë ato biznese, të cilat janë më pranë qeverisë. Pavarësisht kësaj, në thelb përdorimi pa kriter i së drejtës për të bërë amnisti, më shumë se një ngasje drejt një qëllimi të mirë, synon të fshehë dështimin e qeverisë në funksionimin e shtetit ligjor. Ky përdorim pa kriter i amnistisë ka çuar ndërkohë edhe në një ndarje të thellë të shoqërisë, ku një pjesë janë të dëmtuarit, dhe në këtë rast është fjala për atë kategori qytetarësh të cilët respektojnë ligjin; ndërsa pjesa tjetër janë përfituesit. Qeverisjet që nëpërmjet amnistive mbjellin pabarazi sociale, thjesht për qëllime elektorale, janë më të këqija se qeverisjet e dështuara.

5 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›