E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria turistike, surprizat dhe shërbimet që ofrohen për vizitorët e huaj

Çfarë i nevojitet një turisti që zgjedh Shqipërinë

Ervin Koçi

Edhe Shqipëria mund të jetë një ndër shumë vendet e rajonit të Mesdheut që turizmin ta ketë si një ndër shtyllat kryesore të ekonomisë. Kjo konstatohet nga të dhënat e viteve të fundit, ku fluksi i turistëve, por edhe të ardhurat nga ky sektor, kanë ardhur në rritje. Por sa e aftë është Shqipëria që të ofrojë kushtet e përshtatshme për zhvillimin e një turizmi alla mesdhetar, cilat janë përgatitjet që po bën aktualisht industria turistike shqiptare, si dhe përse një turist i huaj duhet të zgjedhë pikërisht Shqipërinë për të kaluar pushimet e tij? Këto janë një mori pyetjesh që më poshtë do t’u japim përgjigje. Nga të dhënat e marra pranë Ministrisë së Turizmit, gjithnjë e më shumë turizmi po shndërrohet në furnizuesin kryesor të ekonomisë me të ardhura. Mirëpo si një nga sektorët ku pritet të përqendrohet rritja ekonomike e vendit në të ardhmen, turizmi ende nuk po e gjen veten në prioritetet e qeverisë sidomos në mbështetje me fonde.

Çfarë i nevojitet një turisti

Një turist i huaj, apo një grup turistësh që spontanisht zgjedhin Shqipërinë për të kaluar pushimet e tyre disaditore apo disajavore, mbi të gjitha kërkojnë siguri dhe çmime të leverdishme. Në lidhje me të parën, kushdo që vjen si vizitor apo turist në vendin tonë shikon se ka të bëjë me një popull paqësor, që për më tepër për të huajin apo mikun tregohet gjithmonë i gatshëm ta ndihmojë (edhe atëherë kur nuk di gjuhën e tij). Në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, me popullsi 800 mijë banorë, çdo turist i huaj, individ apo grup, mund të marrë një informacion paraprak për vendet, resortet turistike, çmimet e hoteleve, restoranteve, bareve apo dhe mjeteve të transportit. Mjafton një vizitë e shkurtër në agjencitë e shumta turistike në qendër të kryeqytetit (zona e ish-Bllokut dhe Rruga e Durrësit) dhe një turist mund të marrë në dorë broshura të tëra me informacione mbi turizmin shqiptar. Po kështu, kundrejt pagesave simbolike agjencitë turistike ofrojnë për turistët e huaj edhe guida (persona shoqërues) dhe përkthyes që mund të bëjnë njohjen e vizitorëve me realitetin e vendit. Hotelet dhe njësitë e tjera akomoduese si në kryeqytet, ashtu dhe në zonat bregdetare, nisin nga 20 euro nata dhe variojnë deri në 170 euro, sipas klasit dhe nivelit të shërbimit. Në Tiranë dhe në mbarë zonat turistike shqiptare do të mund të gjeni hotele që fillojnë nga dy yje deri në pesë yje, madje që ofrojnë edhe një mori shërbimesh ekstra. Por turizëm mund të bëhet edhe me pak para, pasi nuk mungojnë as vendet ku mund të sigurohet një shtëpi apo një dhomë me qira afër plazheve, si dhe shumë ushqim i bollshëm dhe kuzhinë nga të gjitha vendet, përfshi ato më ekzotike.

Si mund të lëvizë një turist

Shtetasit që vijnë nga vendet e Bashkimit Europian, por dhe nga Zvicra, Izraeli, SHBA-të, Kanadaja, Koreja e Jugut, Kroacia, Zelanda e Re, Turqia, Japonia dhe Malajzia, hyjnë pa vizë në territorin Shqiptar kundrejt një takse prej 10 eurosh, që paguhet në momentin e hyrjes. Në periudhën e sezonit turistik (1 qershor-30 shtator) hyjnë pa viza edhe shtetasit e vendeve të rajonit, si Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina. Gjithashtu është e mundur që të hysh në territorin shqiptar edhe me një makinë, por duke deklaruar në doganë që do ta futësh mjetin përkohësisht (qëndrim i përkohshëm deri 1-mujor). Për këtë veprim duhet të marrësh një letër hyrjeje në pikën doganore nga je futur me mjet, dhe kur të dalësh duhet ta dorëzosh për të llogaritur taksën e qarkullimit (1 euro për makinat e cilindratës së mesme). Është e nevojshme gjithashtu pagimi i siguracionit të përkohshëm në kufi, që për 15 ditë kushton 50 euro. Mjetet më të frekuentuara për të lëvizur në Shqipëri janë furgonët privatë ose autobusët privatë dhe shtetërorë. Ky transport funksionon kryesisht gjatë ditës. Rrugët nuk janë në gjendjen më të mirë, por nga veriu në jug vendi përshkohet nga superstrada dhe përveç kësaj, edhe rajonet turistike dhe zonat më kryesore të vendit janë të lidhura nëpërmjet superstradave apo rrugëve të rehabilituara. Nëse doni të lëvizni me makinë, duhet të keni parasysh që pikat e karburantit janë të shumta në qendrat e banimit dhe të pakta në zonat rurale. Rrjeti i hekurudhave në vend është i kufizuar dhe vetëm i një klasi “C”. Trenat e udhëtarëve nisen çdo ditë dhe përshkojnë qytetet kryesore, por nuk ofrojnë komoditete apo shërbime ekstra përveç atij parësor (transportimit). Për të lëvizur në qytetet e mëdha mund të përdorni edhe mjetet e transportit publik, autobusët, por edhe taksitë. Kostoja e autobusëve varion nga 20-50 lekë. Gjithashtu taksitë kanë një kosto prej 2.5 eurosh (300 lekë).

Turizmi në të ardhmen

Në listën e vendeve që premtojnë rritje në sektorin e turizmit në dhjetë vitet e ardhshme, hartuar nga Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimeve, Shqipëria ndodhet në 10 vendet e para. Masterplani i zhvillimit dhe menaxhimit të integruar të bregdetit të jugut përbën një sfidë për të ardhmen e turizmit shqiptar. Zhvillimi i zonës së bregdetit të Jugut bëhet duke pasur parasysh që mos të përsëritet përvoja negative e betonizimit të Golemit. Deri tani tradicionalisht ka qenë tregu i shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi që ka furnizuar shërbimet turistike vendase. Vendet, që frekuentohen shpesh, vazhdojnë të mbeten ata që kanë qenë. Vendet e Mesdheut janë shumë të preferuar. Spanja, Italia dhe Greqia vazhdojnë të jenë në vendin e parë, tendencë kjo që tani për tani nuk pritet të ndryshojë. Por edhe udhëtimet e largëta për në Azi, Afrikë dhe Amerikë janë shumë të kërkuar për shkak të debatit aktual për mbrojtjen e klimës. Numri i udhëtarëve nga SHBA-të dhe Europa Perëndimore, të interesuar për eksplorimin e Europës Lindore nëpërmjet mjeteve lundruese, po rritet orë pas ore ka njoftuar Shoqata Ndërkombëtare e Linjave të Lundrimit. Portet e Shqipërisë, Greqisë, Turqisë, Malit të Zi dhe Kroacisë gjithnjë e më shumë po tërheqin turistë. Ritmet e kërkesës për portet e Adriatikut e sidomos ato shqiptare po pësojnë një rritje domethënëse njoftojnë të njëjtat burime. Turizmi në vendet e bllokut lindor po rritet me ritme shumë më të shpejta se në Europën Perëndimore.

Të ardhurat nga turizmi

Për 3-mujorin e kaluar (prill-qershor), të ardhurat nga turizmi arritën në 221 milionë euro, por në muajt në vazhdim shifrat do të shumëfishohen për shkak se sezoni turistik po arrin në kulimin e tij. Ndërkohë, Organizata Botërore e Turizmit i sugjeron Shqipërisë të ndjekë një model ndryshe të zhvillimit të turizmit nga Kroacia dhe Mali i Zi, modele që cilësohen jo fort të suksesshme në vijimësinë e industrisë turistike. Por pa u zgjidhur çështja e pronësisë në zonat turistike ka shumë pak shanse për tu ofruar investitorë seriozë e për rrjedhojë për të ofruar në një të ardhme shërbime konkurruese me vendet e tjera të rajonit. "Kakomeja" është tashmë një precedent për apel të të gjitha grupeve të interesit që të gjejnë zgjidhje emergjente për zhbllokimin e sektorit nga turizmi spontan. Në periudhën afatgjatë, me koncentrimin në turizmin e detit dhe plazhit, synohet të tërhiqet një numër i konsiderueshëm turistësh ndërkombëtarë kryesisht nga Europa. Por, ndërkohë rajoni ofron konkurrencë të madhe. Konkurrentët e drejtpërdrejtë janë Kroacia, Mali i Zi, Bullgaria, Greqia dhe Turqia, por gjithashtu dhe "destinacionet e pritshme" si Qiproja.

BOX///////////////////////////////////////
Turizmi jashtë vendit, moda e re e pushuesve shqiptarë

Shpenzimet për turizëm jashtë vendit tonë po rriten gati me të njëjtat ritme sa edhe hyrjet valutore nga turizmi brenda vendit. Për shqiptarët që pushojnë jashtë, destinacionet kryesore janë Turqia, Mali i Zi, Egjipti dhe gjithashtu edhe Europa Perëndimore. Hyrjet nga turizmi në ekonominë vendase dhe shpenzimet për turizëm jashtë vendit po rriten pothuajse me të njëjtat ritme. Gjatë periudhës janar-mars të këtij viti, prej hyrje-daljeve nga Shqipëria për qëllime turizmi janë fituar vetëm 7 milionë euro. Pasi nga 221 milionë eurot që kanë hyrë në ekonominë vendase si prurje nga turizmi, 214 milionë euro janë harxhuar nga shqiptarët në udhëtimet jashtë vendit ose 21 për qind më shumë se një vit më parë. Kjo rritje vihet re në të ardhurat e siguruara nga shërbimet e ofruara udhëtarëve jorezidentë që vizitojnë Shqipërinë për qëllime biznesi dhe personale. Të pushosh jashtë për krishtlindje dhe gjatë verës po shndërrohet në traditë tashmë për shqiptarët.

Të tjera/////////////////////////////////
Zonat turistike, furnizim pa ndërprerje me energji gjatë sezonit

Zonat turistike të vendit këtë vit do të kenë furnizim me energji pa ndërprerje për gjatë gjithë sezonit veror. Kjo gjë është bërë publike disa ditë më parë nga kreu i KESH-it, Gjergji Bojaxhi, i cili e ka bërë të ditur këtë premtim duke siguruar se furnizimi me energji do të jetë “non-stop” në të gjithë territorin e vendit. Sipas tij, rezervat hidroenergjetike të vendit janë mjaftë të mira dhe për më tepër KESH-i ka marrë edhe masa për çdo situatë thatësire të mundshme gjatë verës. “Situata e furnizimit me energji për këtë verë do të jetë mjaftë e mirë në të gjithë vendin dhe zonat turistike do të kenë energji 24 orë në ditë”,- tha kreu i KESH-it, Bojaxhi. Ai ka thënë më tej se, për këtë veprim korporata ka rënë dakord edhe me bizneset në zonat turistike, me pushtetin lokal, por dhe me donatorët e KESH-it.

Turizmi, këtë vit në krye të klasifikimit të të ardhurave

Për herë të parë këtë vit turizmi u ngjit në krye të klasifikimit përsa u përket prurjeve valutore në ekonominë vendase nga jashtë me rreth 1 miliard euro. Vlerat monetare që u përfituan kaluan dërgesat e emigrantëve, të ardhurat nga eksportet dhe të ardhurat që futen nga investimet direkte, duke u shndërruar në një burim madhor të ardhurash dhe punësimi. Sipas statistikave të 9-mujorit 2007, prurjet nga turistët shënuan mbi 800 milionë euro. Mirëpo, zhvillimi spontan i pambështetur me strategji të qarta dhe cilësi shërbimesh, nuk mund të shndërrohet në një mjet të qëndrueshëm për të garantuar ritme të larta rritjeje. Shqiptarët etnikë që jetojnë jashtë dhe vizitojnë miqtë dhe të afërmit janë vizitorët më të rëndësishëm ndërkombëtarë edhe këtë vit.

5 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›