E Diel, 1 Nëntor 2026

Matura, rregullat për të mos u penalizuar në provim



Pak ditë i ndajnë gjimnazistët nga sfida e parë e Maturës Shtetërore. Por ndërsa kanë arritur në prag të provimit të letërsisë, duhet të bëjnë kujdes me rregullat që duhet të zbatojnë për dhënien e provimit. Kush i thyen përjashtohet automatikisht, duke humbur shansin për garën e universiteteve. Këtë vit maturantët kanë të drejtë të kërkojnë një fotokopje të testit të tyre, pas provimit. Klauzola e re është përcaktuar në rregulloren e maturës. Në të janë renditur qartazi detyrat e tyre gjatë dhënies së provimeve me detyrim dhe atyre me zgjedhje. "Maturantit nuk i njihen rezultatet, në rast se ditën e provimit nuk është i pajisur me dokument identifikimi, nuk qëndron në vendin që i caktohet, përpiqet të japë provimin për një nxënës tjetër", thuhet në rregullore. I njëjti penalizim vlen edhe kur kandidati bën përpjekje të fitojë në mënyrë të padrejtë informacion mbi përmbajtjen e testit, merr ose jep kopje apo komunikon me nxënës të tjerë. Ndalohen gjithashtu edhe komentet lidhur me përmbajtjen ose zgjidhjen e testit. "Nga provimi përjashtohet edhe nëse përdor mjete shkrimi të ndryshme nga ato të specifikuara për këtë qëllim (të cilat janë: stilolaps me ngjyrë të zezë ose blu). Rezultatet nuk njihen nëse kandidati mban me vete telefon celular, radio ose çdo mjet tjetër komunikimi në mjedisin e provimeve", saktëson rregullorja. Gjithashtu ndalohet komunikimi me kandidatët e tjerë, celularët apo shënimet në fletën e provimit. Të forta janë rregullat edhe për ata nxënës që mund të mos ndihen mirë gjatë provimit. Në rast se për një arsye apo një tjetër ata duan të dalin nga klasa, pasi kanë probleme me shëndetin, automatikisht përjashtohen nga provimi. Për rrjedhojë humbin edhe shansin për të konkurruar në universitet. Pas daljes së rezultateve të provimit, çdo maturant që do të jetë i pakënaqur nga vlerësimi i testit, do të ketë mundësi të tërheqë një kopje të testit në qendrën e vlerësimit kundrejt një tarife prej 400 lekësh.

Kriteret
Ministria e Arsimit publikon kriteret që duhet të plotësojnë shtëpitë botuese për tekstet. Do të jenë dy borde që do të shqyrtojnë botimet. Ato do të shqyrtojnë botime të ofruara vetëm nga shtëpi dhe ente botuese. "Literatura e ofruar për nxënësit të jetë e përshtatshme me grup-moshën që i referohet si dhe programin mësimor të klasave 1-12. Literatura për mësuesit duhet të jetë në përputhje me prioritetet kombëtare për zhvillimin profesional të mësuesve dhe drejtuesve të shkollave", thuhet në njoftimin e MASH. Botimet duhet të kenë edhe një dosje shoqëruese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›