Prova e dytë,sërish kaos me trafikun në qendër
Kaos i vërtetë me trafikun, për shkak të punimeve në Sheshin "Skënderbej". Dje Bashkia e Tiranës bëri një tjetër provë, duke devijuar të gjithë automjetet që vinin nga rruga e "Kavajës" ajo e "Dibrës" dhe e "Durrësit" pas Muzeut Historik dhe Bankës së Shqipërisë. Kjo bëri që qindra automjete të mbeten të bllokuar për më shumë se 2 orë. Më problematike situata ishte pas orës 10, ku në shesh veç borive të makinave, nuk mungonin dhe të bërtiturat e policëve bashkiakë, të cilët më kot përpiqeshin të stabilizonin situatën. Pak kohë më parë, bashkia publikoi planin e ri të masave për trafikun. Sa u përket akseve rrugore, ka ndryshuar drejtimi i lëvizjeve në disa rrugë. Rruga "Abdi Toptani", me një sens lëvizjeje, me drejtim nga Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", deri në rrugën "George W Bush" do të jetë ndalim qëndrimi 24 orë, në të dy krahët e saj. Rruga "Mine Peza", me një sens lëvizjeje, me drejtim nga rruga e "Durrësit", deri në rrugën "Asim Vokshi" do të jetë ndalim qëndrimi 24 orë, në të dy krahët e saj. Po kështu, rruga e "Kavajës", në kryqëzimin e saj me rrugën "Kont Urani", 150 m përpara impianteve semaforikë, në të dy drejtimet do të jetë ndalim qëndrimi 24 orë. Ndërkaq, Bulevardi "Bajram Curri", "Zhan D'Ark", "Muhamet Gjollesha", "Sulejman Delvina", në kryqëzimet e tyre, 150 m, përpara impianteve semaforikë, në të dy drejtimet do të jenë ndalim qëndrimi 24 orë. Po kështu është rikonceptuar edhe skema e linjave të transportit dhe stacioneve të autobusëve. Me rregullat e reja, stacioni qendror i linjës së Tiranës së Re do të zhvendoset nga stacionimi i mëparshëm para "Pallatit të Kulturës", te "15 katëshi". Stacioni i linjave të Institutit Bujqësor (Kamza) dhe Lapraka është spostuar para Muzeut Kombëtar. Ndërsa stacioni kryesor i linjës Kombinat - Kinostudio dhe Uzina "Dinamo" spostohet pas Bankës së Shqipërisë.