Incidente elektoral në Lushnje dhe Kamëz, grisen dhe digjen flamujt e PD-së

Një tjetër incident elektoral është shënuar dje në qytetin e Lushnjes ku janë djegur flamujt e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ngjarja ka ndodhur pranë zyrës elektorale të kandidatit për bashkinë e Lushnjes të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Albert Sanxhaku, vetëm pak orë para se LSI-ja të hapte fushatën në këtë qytet. Ndërkohë policia ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve të ngjarjes. Po ashtu, i njëjti incident ka ndodhur dhe në bashkinë e Kamzës, atje ku grupe huliganësh të Partisë Socialiste kanë grisur dhe djegur posterat elektorale të kandidatit të Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin”, Xhelal Mziu. Zyra e shtypit e shtabit elektoral të z.Mziu, ka reaguar menjëherë duke e dënuar këtë akt. Por, ajo që ka shkaktuar habinë e komunitetit ishte se krahas grisjes së posterave të kandidatit të mazhorancës, pre e dhunës dhe huliganizmit të simpatizantëve të PS kanë rënë dhe posterat që pasqyrojnë imazhin e “Kamzës Moderne”. Ky veprim është konsideruar nga qytetarët si keqdashje e atyre që nuk duan “Kamzën Moderne”, sepse janë të mësuar me ideologjinë e bunkerizimit.
...