Minatorët: Nuk e ndërpresim grevën e urisë

Minatorët e Bulqizës do të vijojnë pa ndërprerje grevën e urisë edhe pas vendimit të gjykatës së Dibrës për t`i nxjerrë jashtë galerisë.
Ata kanë kërcënuar se nëse policia do të tentojë të nxjerrë me dhunë minatorët grevistë atëherë ata do ta përmbysin minierën duke rrezikuar kështu edhe jetën e tyre.
Në një prononcim për mediat, kreu i konfederatës së industrisë Tafë Koleci theksoi se komisioni i grevës ka vendosur që greva do të vijojë edhe në ditët e ardhshme ndërsa ka theksuar se minatorët do të përshkallëzojnë protestat duke bllokuar edhe rrugën nacionale Tiranë-Peshkopi në Qafë Buall.
Ndërsa në një prononcim për "Ora News" kreu i Konfederatës, Kol Nikolla theksoi se sindikat do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e minatorëve, duke shtuar, se minatorët janë të gatshëm të ulen në tryezë me përfaqësuesit e kompanisë ACR për të arritur një marrëveshje në lidhje me kërkesat e tyre.
Ndërkohë që minatorët vijojnë ditën e 26-të të grevës së urisë, ende nuk është arritur një marrëveshje mes palëve për zgjidhjen e situatës në Bulqizë.
Një ditë me parë Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës kërkoi ndërprerjen e grevës së minatorëve dhe nxjerrjen e tyre jashtë galerisë pasi rrezikohet jeta e tyre.Gjithashtu ditën e djeshme kompania ACR bëri publik një memorandum mirëkuptimi, të cilin theksohet se plotëson të gjitha kërkesat e minatorëve grevistë, dhe ka të bëjë me të drejtat e minatorëve dhe detyrimet e kompanisë.
“ACR pajtohet për të përmbushur kërkesën për rritjen e pagës me 20% duke filluar nga data e nënshkrimit të këtij memorandum”, thuhet në draft, dhe theksohet se “ACR pajtohet për të bërë transparent të gjitha investimet, për të përmirësuar kushtet e punës, duke përfshirë sigurinë me të gjitha standartet si dhe regulloren e sigurimit teknik për sigurinë në punë, dhe ACR pajtohet gjithashtu që të sigurojë të gjithë ndihmën për sindikatën e re që do të krijohet pas nënshkrimit të këtij memorandum" thuhet në deklaratë.
Në dokumentin e kompanisë koncesionare ACR nënvizohet se “të gjithë punonjësit duhet të marrin përsipër që menjëherë të rinisin punën dhe të lirojnë të gjitha ambjentet e minierës.”
Ndërsa Kryetari i konfenderatës së sindikatave Kol Nikollaj deklaroi dje se memorandum ka shtesa antiligjore. Ai ka theksuar se sindikata është e gatshme për një marrëveshje e cila do të bënte të mundur plotësimin e kërkesave të minatorëve.Minatorët kërkojnë rritje page në masën 40%, përmirësim të kushteve të punës, ulje të moshës së daljes në pension dhe largimin e përfaqësuesit të kompanisë ACR.