E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidenti, familjarët e Agron Aliajt përplasen me Piperon

Agron Aliaj dhe Pëllumb Pipero

Koreografi transferohet te Hygeia. Pipero: Familjarët, jo bashkëpunues.

I biri: Babai në spital privat, Ministria nuk bëri asgjë.

Konferenca e lajmëruar nga Ministria e Shëndetësisë për gjendjen e koreografit të njohur Agron Aliaj, u shoqërua me një incident në ambientet e spitalit. Pas përfundimit të fjalës së tij, ku informoi mbi trajtimin mjekësor që i është bërë koreografit pas aksidentit, drejtori i politikave shëndetësore, Pëllumb Pipero, është përballur me një sërë akuzash nga familjarët e pacientit. “Nuk e kuptoj sesi mund të vini 5 minuta përpara se ne të nxjerrim babain nga spitali për ta shtruar në privat dhe të tregoni çfarë keni bërë për të, ndërkohë që nuk keni bërë asgjë. E keni lënë në Spitalin Ushtarak në një dhomë me lagështirë, ku nuk kishte as qese urine”, është shprehur djali i koreografit, Cezar Aliaj. Edhe bashkëshortja ka qenë jo pak e ngarkuar emocionalisht, ndërkohë që drejtori Pëllumb Pipero është përpjekur ta qetësojë situatën. Pak minuta më vonë, pacienti është transferuar në spitalin “Hygeia” për një ndërhyrje ndihmuese në kolonën vertebrale, ndërhyrje të cilën e ka marrë përsipër një profesor grek.
Familjarët
Gazeta kontaktoi dje me djalin e zotit Aliaj, i cili e quajti fyese daljen në konferencë për shtyp të përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë. Ai na informoi se koreografi i njohur është momentalisht i shtruar në reanimacionin e spitalit “Hygeia” dhe pritet të operohet sot nga një mjek që vjen enkas nga Athina për këtë ndërhyrje. “Ardhja e përfaqësuesit të Ministrisë në spital vetëm sa na shqetësoi, ndërkohë që ne na intereson shëndeti i babait. Unë po ju them të vërtetën time. Nga data 8 deri dy ditë më parë, im atë është lënë në spital në kushte shumë të vështira, pa asnjë interesim nga Ministria e Shëndetësisë. Kam shkuar në Ministri, as epikrizën nuk gjenin. Kemi paguar edhe për analizat që janë kryer. I vetmi person që është interesuar për shëndetin ka qenë Kryeministri i vendit, i cili solli përfaqësuesit e tij. Prandaj, ardhja në një ditë pushimi 5 minuta përpara se ne të bënim transferimin nga spitali publik e ka përgjigjen brenda”, tha për gazetën Çezar Aliaj. Ndërkohë, miku i familjes, biznesmeni Refik Halili, theksoi se vetë mjekët që i kanë bërë konsultën e fundit zotit Aliaj kanë deklaruar se nuk ka marrë trajtimin e duhur. “Unë jam një mik i familjes Aliaj dhe kam asistuar gjatë gjithë këtyre ditëve në komunikimin që ne kemi pasur për ta transferuar Agronin në një spital privat. Të them të drejtën, mjekët që kanë bërë konsultat na kanë thënë si është e mundur që është lënë kaq gjatë pa trajtim, ndërkohë që ai ka pasur nevojë për një ndërhyrje që 24 orë pas aksidentit”, tha Refik Halili
Ministria
Gazeta kontaktoi dje gjithashtu me drejtorin e Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. Sipas tij, koreografi i njohur Agron Aliaj ka pasur vëmendjen maksimale nga Ministria e Shëndetësisë. “Mendoj se familjarët janë të ngarkuar emocionalisht dhe më duhet të them se kanë qenë jobashkëpunues. Ministria e Shëndetësisë ka bërë maksimumin e mundshëm. Më lejoni të theksoj se parametrat e zotit Aliaj kanë qenë shumë të brishtë. Nuk ka pasur asnjë sugjerim për ta çuar jashtë vendit për shkak të gjendje së tij, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ditët e fundit përgatiti dokumentacionin për në Turqi”, tha Pipero. Sipas tij, dërgimi jashtë vendit ka qenë i pamundur për shkak të dëmtimeve që ka pasur në palce. “Jeta është e njëjtë për të gjithë, kaq sa është bërë për zotin Aliaj, bëhet në çdo vend tjetër, prandaj pretendimet e familjarëve, pavarësisht se i mirëkuptoj, më duken jo të drejta”, tha Pipero.

Aksidenti
Në datën 8 mars, koreografi i njohur, ish-udhëheqësi artistik i disa shfaqjeve në Teatrin e Operës dhe Baletit, Agron Aliaj, u aksidentua në qendër të Tiranës. Artisti i njohur u përplas nga një makinë që lëvizte me shpejtësi, në kohën që sapo kishte dalë nga Teatri i Operës. Ai po tentonte të kalonte nga njëri krah i rrugës në tjetrin, kur është goditur nga automjeti. Sapo ka shkelur në vijat e bardha në asfalt, një automjet e ka përplasur duke e rrëzuar në tokë koreografin. Ngjarja ndodhi paraditen e së mërkurës në Tiranë.

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›