Bum vjedhjesh në Fier, në tre muaj 500 raste
Në disa ngjarje grabitësit me armë plagosën qytetarët.
FIER- Policia e Fierit ka vënë në pranga 65 hajdutë gjatë tre muajve të parë të këtij viti në këtë qarku. Sipas të dhënave të Policisë, gjatë këtyre tre muajve rezulton se në total janë 500 raste të vjedhjeve, por jo të gjitha janë dokumentuar. Kështu, gjatë muajit janar të këtij viti janë ndaluar tetë persona. Prej tyre, tre janë kapur në flagrancë, duke vjedhur sasi të ndryshme metalike për t’u shitur më pas për skrap. Në muajin shkurt policia ka kryer zbulimin më të madh të autorëve të dyshuar të vjedhjeve të ndryshme, duke vënë në pranga 33 persona. Ashtu si në janar, nga këto vjedhje kanë rezultuar të kenë qenë për grabitje të pjesëve metalike për t’u shitur më pas për skrap. Në dy prej këtyre rasteve vjedhjet janë kryer me armë. Ndërkaq, gjatë këtyre javëve të muajit mars janë ndaluar 24 persona të dyshuar për vjedhje të ndryshme. Disa prej këtyre kanë rezultuar të jenë autorë të vjedhjeve të skrapit. Policia bëri të ditur se në katër raste, grabitjet janë kryer me armë. Gjatë këtyre muajve janë shënuar vjedhje të natyrave të ndryshme, por vetëm pak prej tyre janë dokumentuar. Kështu, ka pasur vjedhje të qytetarëve të ndryshëm të sendeve vetjake, vjedhje në banesa, ku përfshihen edhe ato të bagëtive apo drurëve frutorë, vjedhje të tubacioneve të ndryshme metalike, si të ndërmarrjeve shtetërore, ashtu edhe të kompanive private etj. Gjithashtu, janë kryer edhe grabitje me armë zjarri, nga ku kanë mbetur edhe persona të plagosur. Vlen të përmendet rasti i plagosjes në këmbë të një punonjësi të “Albpetrol”-it në muajin e kaluar, pasi i bëri rezistencë hajdutit. Ndërkaq, nga burime të bluve mësohet se forcat e komisariateve të qarkut të Fierit po bashkërendojnë punën me njëri-tjetrin për të parandaluar vjedhjet dhe për zbulimin e kapjen e autorëve të dyshuar.
SKRAPI
Sipas Policisë, gjatë muajve të parë të këtij viti ka pasur një tendencë në rritje të vjedhjeve të pjesëve metalike të objekteve të ndryshme për tu shitur skrap. Ndërkohë, kanë qenë të shumtë qytetarët të cilët kanë denoncuar vjedhje.