Vrasja e Arlind Fugës, policia survejoi varrimin

Viktima Arlind Fuga
TIRANE/ Përcillet në banesën e fundit i vrari me gjashtë plumba.
Atentati mikut të Shullazit, 25 të shoqëruar në polici.
Arlind Fuga, i vrarë tri ditë më parë në Tiranë me gjashtë plumba pistolete, është përcjellë dje për në banesën e fundit. Në një ceremoni ku veç familjes kanë qenë të pranishëm edhe miq e shokë të 34-vjeçarit, viktima e atentatit ende të pazbardhur është përcjellë për në banesën e fundit nën vëzhgimin e policisë së Tiranës. Një grup agjentësh të sektorit të hetimit të krimeve, të veshur civilë, kanë ndjekur nga afër ceremoninë mortore duke nisur që nga banesa në Rrugën e Kavajës e deri te varrezat në Sharrë. Një numër i konsiderueshëm personash që morën pjesë në ceremoni ishin miq e shokë të Arlind Fugës, që i përkasin besimit islam, të cilin 34-vjeçari e ushtronte me devotshmëri prej vitesh. Burime të Policisë thanë se ndjekja e ceremonisë mortore është një praktikë që është zbatuar edhe në raste ngjarjesh të tjera pa autor. Ndërkohë që viktima e atentatit mafioz është përcjellë në banesën e fundit, policia po vazhdon hetimet për ngjarjen ende pa rezultat. Pista kryesore e hetimit është ajo që lidhet me miqësinë dhe raportin e ngushtë që 34-vjeçari, baba i dy fëmijëve, kishte me shtetasin Emiljano Shullazi, i cili ndodhet aktualisht në gjendje arresti për akuzën e armëmbajtjes pa leje. Sipas hetimeve të deritanishme, Arlind Fuga ishte person i afërt me Shullazin, por edhe mikun tjetër të tij, Gilmando Dani. Miqësia e tyre datonte që nga viti 2005 e ndoshta edhe më parë, ndërsa në vitin 2006 Shullazi u arrestua nga policia në një banesë të siguruar nga Arlind Fuga, i njohur edhe me nofkën “Pipja”. Gjatë hetimeve të deritanishme policia ka shoqëruar mbi 25 persona në lidhje me ngjarjen, por ata janë lënë të lirë pas deklarimeve të dhëna në lidhje me ngjarjen. Nga ana tjetër, mësohet se dy persona kanë dhënë deklarime duke pohuar se kanë parë lëvizjet e një motori në rrugicën ku ndodhi vrasja e Arlind Fugës, por nuk kanë arritur të shohin nëse bëhej fjalë për një apo dy persona. Emri i Arlind Fugës, sipas Policisë, del në dy dosje të viteve 2009 dhe 2010 në ngarkim të Emiljano Shullazit, ku ndaj tij kanë qenë ngritur akuzat për trafik narkotikesh dhe veprimtari e organizuar kriminale. Sipas këtyre dosjeve, Arlind Fuga i kishte gjetur Shullazit banesën ku qëndroi dhe ku u arrestua në vitin 2006, ndërsa njihte edhe partneren e tij, Elona Fuga. Shtetasi Arlind Fuga, mësohet se ka rezultuar i përmendur edhe në dosjen e një shtetaseje (Albana Lazaj), të akuzuar për mashtrim, e cila në vitin 2007 mori një shumë parash pasi premtoi lirimin e Shullazit nga burgu. Sipas Policisë, Fuga kishte qenë personi që pasi kishte dhënë paratë, i kishte kërkuar Lazajt që të shkonin së bashku te prokurori i përmendur që të mësonin përse nuk po ndodhte lirimi i Shullazit. tr.so
Provat
Dosja penale e vrasjes së Arlind Fugës është regjistruar në Prokurorinë e kryeqytetit, ndërsa grupi i hetimit pohoi se po analizon gjashtë gëzhoja të sekuestruara në vendin e ngjarjes ku u vra Arlind Fuga. Bëhet fjalë për 6 gëzhoja arme zjarri të kalibrit 7.62 milimetra, model 54, të cilat po ekzaminohen në laboratorin e Policisë Shkencore. Arlind Fuga, sipas Policisë, nuk rezulton të ketë konflikt të drejtpërdrejtë me ndonjë person dhe madje nuk ka as precedentë penalë. Ai ishte një besimtar i devotshëm dhe shumë i përkushtuar për familjen e tij, ndërsa merrej me një aktivitet privat, duke bërë punime gipsi nëpër banesa.
Seriali
Sipas Policisë, vrasja e Arlind Fugës, i njohur me pseudonimin “Pipja”, është duke u hetuar si një ngjarje e ndodhur në vazhdim të disa ngjarjeve të rënda të pazbardhura ende në Tiranë që nga korriku i vitit të kaluar. Vrasja e mbrëmjes së të martës është konsideruar nga analizat e Policisë, si vazhdim i një zinxhiri hakmarrjesh që pas plagosjes së Gilmando Danit, i cili është arrestuar dhe ndodhet në burg bashkë me Emiljano Shullazin për “armëmbajtje pa leje”. Gilmando Dani i shpëtoi një atentati më 25 qershor 2011, ku mbeti i plagosur pasi u qëllua disa herë me armë fare pranë banesës ku jeton ai dhe Shullazi.