Përplasja me armë për pronat, babai vret me çifte të bijën

Banesa e familjes Cara ku ndodhi ngjarja
Plagoset edhe shënjestra. Policia arrestoi Llesh Carën, shoqërohet i biri për ngjarjen.
Kurbin, tentoi të qëllonte vëllanë, plumbi kapi 31-vjeçaren.
Tenton të vrasë vëllanë për pronat, por plumbi i mori jetën vajzës 31-vjeçare që u fut të ndante. Krimi i rëndë brenda familjes ndodhi dje rreth orës 10:00 në fshatin Zhejë të Kurbinit. Lule Cara mbeti i vdekur në vend, pasi saçma e çiftes e goditi në kokë. Viktima u fut të ndante përleshjen mes babait dhe vëllait të saj Llesh Cara e Aleksandër Cara me xhaxhain e saj, Mark Cara. Ky i fundit mësohet se kishte shkuar për të sqaruar një konflikt të nisur prej disa vitesh me të vëllanë 58- vjeçar për një rrugë që kalonte në tokën e tij. Por, debati mes tyre ka degjeneruar fillimisht me përleshje mes 40-vjeçarit dhe nipit të tij 25 vjeç, Aleksandër Cara. Pas përleshjes fizike mes tyre, Llesh Cara ka marrë armën çifte që e mbante në banesë dhe ia ka drejtuar të vëllait. Sipas të dhënave të Policisë, vajza 31-vjeçare është futur në mes për të shmangur tragjedinë familjare. Por, ajo ka mbetur e vdekur, pasi saçma e armës e ka përshkuar në kokë. Ende nuk është i qartë skenari i ngjarjes tragjike, por paraprakisht dyshohet se babai i saj e ka shkrehur armën në momente të përleshjes, kur papritmas e bija i ka dalë atij para. Në tentativë për të qëlluar vëllain, ai ka tërhequr këmbëzën e çiftes, duke i marrë jetën vajzës së tij. I plagosur ka mbetur edhe shënjestra e krimit. 40-vjeçari është transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ndërsa dëshmia e tij pritet të zbardhë edhe ngjarjen. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe shoqëroi disa persona. Disa orë më pas, rreth orës 15:30, Llesh Cara, baba i pesë fëmijëve, 3 djemve dhe dy vajzave, njëra prej të cilave vdiq ditën e djeshme, është vetëdorëzuar në polici. Ndërkaq, Policia e Lezhës ka shoqëruar edhe djalin e tij, Aleksandër Cara, pasi ka dyshime se autori mund të jetë ai dhe jo i ati. Burime të Policisë bënë të ditur se Llesh Cara nuk e ka pranuar autorësinë, duke aluduar në një tjetër pistë, se krimin e kishte kryer vëllai i tij 40-vjeçar, i cili tashmë ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak. Të dhënat kontradiktore dhe mohimi i vrasjes ka bërë që policia të dyshojë se autor mund të jetë edhe djali 25-vjeçar. “Ka qenë vëllai im, Mark Cara, ai që ka tërhequr këmbëzën e armës së gjahut, duke vrarë vajzën time”. Kështu mësohet se është shprehur dje në polici pas arrestimit 58-vjeçari i akuzuar për vrasjen e së bijës dhe plagosjen e vëllait të tij. Por, nga të dhënat operative, por edhe metodat e specializuara të përdoruara nga ana e policisë për këtë krim, e kanë përjashtuar pretendimin e Carës se autori ishte 40-vjeçari i plagosur. “Vëllai im, Mark Cara, kishte 20 minuta që kishte mbërritur te shtëpia. Kishim kohë që nuk komunikonim. Ai nisi të më kërcënonte mua në sy të fëmijëve për çështjen që ne kishim çuar në gjykatë. Më pas, situata u acarua pasi djali dhe ai nisën të rriheshin. Në këtë moment u futa në dhomë dhe mora armën dhe me të iu drejtova vëllait që ta lëshonte tim bir. Vajza ime hyri në mes për të shmangur sherrin. Në këtë situatë ndërhyri vëllai im, duke më kapur armën e për pasojë ajo është shkrehur, duke qëlluar në kokë vajzën time dhe mbeti i plagosur edhe vetë Marku”, kështu mësohet se është shprehur në polici pas vetëdorëzimit 58-vjeçari.
Gjykata i dha të drejtë vëllait të plagosur
Dy vëllezërit, Mark dhe Llesh Cara, ishin prej vitesh në konflikt për një rrugë që kalonte në tokën e 58-vjeçarit. Nga hetimi i kryer nga Policia e Lezhës, ka rezultuar se pesë vite më parë, Gjykata e Kurbinit ishte shprehur me vendimin e saj në favor të Mark Lleshit. Ky i fundit ishte ndaluar nga i vëllai të kalonte në rrugë, pasi pretendonte se ishte në tokën e tij. Madje, i vëllai ia kishte prerë rrugën disa herë, derisa konflikti shkoi për zgjidhje në gjykatë. As kryepleqësia e fshatit Zhejë nuk kishte arritur ta zgjidhte me mirëkuptim mes palëve çështjen, çka kishte detyruar Mark Carën që t’i drejtohej gjykatës. Pesë vite më parë, gjykata i kishte dhënë të drejtë atij, por me gjithë vendimin gjyqësor, Llesh Cara kishte vijuar të mos e lejonte të vëllain t’i kalonte në tokën e tij. Duke mos u pajtuar me vendimin gjyqësor, ai kishte hapur sërish proces në Gjykatën e Kurbinit, duke pretenduar se vendimi i mëparshëm kishte qenë i njëanshëm. Mësohet se tri ditë më parë kishte qenë seanca e radhës mes palëve, vëllezër me njëri-tjetrin.
Banorët: Për 10 metra rrugë
Banorë të Zhejës pohuan se familja Cara ka ardhur nga fshati Perlat i Mirditës, rreth 50 vite më parë. Sipas tyre, konflikti mes familjeve ka nisur rreth 10 vite më parë. Sipas banorëve, Llesh Cara kishte nisur ta zgjeronte shtëpinë, çka kishte ndikuar në mosmarrëveshjet mes vëllezërve. Kjo pasi Mark Cara, për të shkuar në banesën e tij i duhej të kalonte nëpër rrugën që po i zinte i vëllai. “Mark Cara mbetej i izoluar për të hyrë me mjete në shtëpinë e tij. Kjo bëri që disa herë kryepleqësia e fshatit Zhejë të ndërhynte për të gjetur zgjidhje, por nuk arritën të gjenin kompromisin mes dy vëllezërve”, bënë të ditur banorët. Sipas tyre, bëhej fjalë për rreth 10 metra rrugë e gjatë, dhe 3 metra e gjerë.
KURBIN/ ROLAND NIKOLLI