Incidenti i Lazaratit, banorët padisin policinë
23/01/2005 Banorët e Lazaratit, kallëzojnë për ndjekje penale policinë dhe forcat speciale, me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë. Dy ditë më parë, Atltin Bejko ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Krimeve të Rënda kundër policisë së shtetit dhe forcave speciale duke i akuzuar ato për vrasje te mbetur në tentativë, ndaj katër banorëve të fshatit Lazarat. Kallëzuesi Altin bejko, i cili është paraqitur në Prokurori, është njëri prej personave që mbetën të plagosur, gjatë ndërhyrjes së policisë dhe forcave speciale në fshatin Lazarat. Aksioni i policisë për kapjen e një personi në kërkim, është zhvilluar në muajin tetor të vitit 2004. Gjatë kësaj ndërhyrje, pati përplasje të armatosur mes policisë dhe banorëve të fshatit në një lokal ne qendër të Lazaratit. Katër banorë lazaratas mbetën të plagosur dhe u shoqëruan me lëndime të rënda në spital, ndërsa një makinë e policisë së shtetit, u qëllua me disa breshëri armësh. Prokuroia e Krimeve të Rënda, filloi nga ana e saj hetimet për këtë rast, me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë. Po kjo akuzë, dy ditë më parë i është adresuar policisë së shtetit, nga njëri prej katër të plagosurve gjatë ndërhyrjes së forcave blu në Lazarat. Prokuroria Krimeve të Rënda për llogari të hetimeve të saj, ka kërkuar dëshmitë e efektivave të policisë për ngjarjen, por ata kanë refuzuar të dëshmojnë, duke kërkuar ruajtjen e anonimatit.