Krimi ekonomik hetimpastrimit të parave
23/01/2005 Drejtoria e Krimit Ekonomik në Prokurorinë e Tiranës gjatë këtij viti ka planifikuar të aplikojë një praktikë të re të hetimeve për zbulimin e financimeve dhe ngritjes së bizneseve nëpërmjet pastrimit të parave të pista. Llambi Bako, Drejtues i drejtorisë së Krimit Ekonomik në Prokurorinë e kryeqytetit, thotë se prokurorët e Krimit Ekonomik pritet të bashkëpunojnë më ngushtë me kolegët e tyre që hetojnë trafiqet e paligjshme dhe veprimtaritë e tjera kriminale me qëllime përfitimi, duke identifikuar personat e dyshuar si dhe pronat apo bizneset e ngritura prej tyre. Pasi të marrin këto infromacione, prokurorët e Krimit Ekonomik me iniciativën e tyre, mund të fillojnë hetimet financiare për të zbuluar nëpërmjet skemave ekonomike ngritjen e objekteve, vënien e pasurisë, apo ngritjen e bizneseve që dyshohet se janë financuar nga para të siguruara nga veprimtari kriminale. Bako, u shpreh se ky lloj hetimi që pritet të aplikohet për herë të parë, do të kryhet kryesisht në ato raste kur drejtësia nuk arrin të vërtetojë veprimtarinë kriminale dhe sigurimin e të ardhurave nga kjo veprimtari të personit të dyshuar.